DHTIK-ja kërkon uljen e përkohshme të akcizës, për shkak të rritjes së çmimeve të derivateve

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) ka shprehur shqetësim për rritjen e sërishme të çmimeve të derivateve, duke vlerësuar se kjo po shton presionin mbi bizneset, fermerët dhe konsumatorët.

DHTIK-ja thotë se rritja e çmimeve po ndikon në kostot e operimit në pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërsa situata është rënduar edhe nga reduktimet e energjisë elektrike.

Sipas DHTIK-së, veçanërisht ndërmarrjet prodhuese janë të detyruara të përdorin gjeneratorë gjatë ndërprerjeve të energjisë, duke krijuar shpenzime shtesë për blerjen e derivateve.

“Që nga fillimi i krizës, DHTIK-ja ka kërkuar mbajtjen e një tryeze të përbashkët ndërmjet institucioneve dhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit”, thuhet në reagim, ku theksohet se deri më tani nuk ka pasur gatishmëri të mjaftueshme institucionale për realizimin e një takimi të tillë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë e sheh si veçanërisht të ndjeshëm ndikimin e çmimeve të derivateve edhe në bujqësi. Sipas saj, fermerët i përdorin ato për traktorë dhe makineri gjatë përgatitjes së tokës, mbjelljes, trajtimit dhe korrjes.

“Rritja e çmimit të derivateve përkthehet drejtpërdrejt në rritje të kostos së prodhimit bujqësor dhe mund të reflektohet në çmimet e produkteve”, thuhet në reagim.

DHTIK-ja vlerëson se rritja e çmimeve të naftës ka ndikuar edhe në rritjen e vazhdueshme të çmimeve të konsumit, kostove të ndërtimit dhe çmimeve të prodhimit.

Për këtë arsye, kjo dhomë kërkon që institucionet e Kosovës të ndërmarrin masa të përkohshme dhe të targetuara për zbutjen e barrës mbi ekonominë.

DHTIK-ja kërkon veçanërisht që të shqyrtohet “pa vonesë” mundësia e uljes së përkohshme të akcizës për derivatet, si dhe masa lehtësuese për sektorët më të prekur.

Sipas saj, shtetet e rajonit tashmë kanë ndërmarrë masa, përfshirë uljen e akcizës dhe forma të tjera të mbështetjes për ekonominë dhe qytetarët.

DHTIK-ja propozon gjithashtu që Qeveria të përdorë instrumente të tjera për mbështetjen e ekonomisë vendore, përfshirë stimulimin e konsumit të produkteve vendore.

Në mesin e masave të propozuara janë edhe skemat e përkohshme të mbështetjes për bizneset që përdorin gjeneratorë për shkak të reduktimeve të energjisë, si dhe masa lehtësuese për fermerët.

Në fund, DHTIK-ja thekson se dialogu ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit është i domosdoshëm për gjetjen e zgjidhjeve praktike, në një kohë kur bizneset po përballen njëkohësisht me rritjen e kostove të energjisë, derivateve, transportit dhe inputeve të tjera. /Zëri