Inspektorati i Punës ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Gjakovë

Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në komunën e Gjakovës, pas konstatimit të parregullsive lidhur me masat e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Sipas njoftimit të Inspektoratit, gjatë inspektimit në këtë objekt është konstatuar se nuk ishin ndërmarrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve.

Për këtë arsye, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve, deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për vazhdimin e punës.

Inspektorati ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, ndërsa ka apeluar te punëdhënësit të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës.