“Po trajtohet në mënyrë të padrejtë”, ish-ylli i Real Madridit i del në mbrojtje Viniciusit
Ish-mbrojtësi i Real Madridit, Nacho Fernandez, ka dalë publikisht në mbështetje të ish-bashkëlojtarit të tij, Vinicius Junior, duke thënë se sulmuesi brazilian po trajtohet në një mënyrë që nuk e meriton.
Në një intervistë të fundit, Nacho, i cili aktualisht luan për Al-Qadisiyah në Arabinë Saudite, foli për situatën e Viniciusit duke u bazuar edhe në marrëdhënien e afërt që ka me të.
Ai theksoi se e njeh personalisht brazilianin dhe se, sipas tij, Vinicius është pa dyshim lojtari që punon më së shumti në skuadrën e Real Madridit.
“Vinicius kohët e fundit është duke u trajtuar në mënyrë të padrejtë. Ai ka fituar shumë me Real Madridin dhe i ka dhënë shumë klubit. Çdo lojtar ka momente kur nuk është në nivelin e tij më të mirë”, deklaroi Nacho.
Ish-kapiteni i Real Madridit më pas e veçoi edhe një herë përkushtimin e brazilianit në stërvitje.
“Përveç kësaj, unë e njoh Viniciusin personalisht dhe nuk kam asnjë dyshim se ai është lojtari që punon më së shumti, pa diskutim”, shtoi ai.
Nacho foli gjithashtu për nevojën që Vinicius dhe pjesa tjetër e skuadrës të arrijnë formën e tyre më të mirë në periudhën vendimtare të sezonit.
“Duhet të gjejmë një mënyrë që të dy të performojnë në nivelin e tyre më të lartë gjatë pjesës më të rëndësishme të sezonit”, përfundoi ai. /telegrafi