Në protestën e gjashtë në Prishtinë, qytetarët lexojnë betimin e ushtarit të UÇK-së

Edhe sonte mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin "Skënderbeu" në Prishtinë ku po vazhdojnë protestat për kundërshtimin e vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të pranishëm në protestën e gjashtë janë edhe djemtë e ish-krerëve, Altin Krasniqi, Endrit Thaçi e Klestor Veseli.

Të pranishmit kanë lexuar gjithashtu betimin e ushtarit të UÇK-së, së bashku me ish-ushtaren dhe ish-deputeten Aida Dërguti.  /Zëri

Betimi është lexuar njëzëri nga protestuesit:

“Unë, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre.
Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë,
vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar,
i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën time,
të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut.
Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës
dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im.”