“Vendim i papranueshëm”, menaxheri Shala komenton pensionimin e Amir Rrahmanit

Federata e Futbollit e Kosovës e ka falënderuar kapitenin Amir Rrahmani për kontributin, mirëpo ka nënvizuar se nuk e justifikon deklaratën e tij publike, kështu tha menaxheri Bajram Shala.

Shala në konferencë për media deklaroi se FFK-ja ka kërkuar të udhëtonte për në Napoli për t’u takuar me Rrahmanin, me shpresën që të zgjidhin problemet, megjithatë ky i fundit nuk ka qenë i gatshëm.

“Fillimisht, dua që në emër të FFK-së ta falënderoj për tërë kontributin që e ka dhënë si lojtar, pavarësisht se sa i papranueshëm është vendimi i tij i fundit. Për ne si Federatë kjo e nuk e fshin kontributin e madh që e ka dhënë qe 10 vjet”.

“Mirëpo, as periudha si lojtar e kapiten nuk e justifikon vendimin e tij të fundit sidomos për mënyrën si ka ardhur ky veprim. Kam qenë në kontakt për kohë të gjatë, kam provuar të adresojë të gjitha kritikat eventuale që Amiri i ka pasur, i kemi ofruar që të shkojmë në shtëpinë e tij në Napoli që të diskutojmë për këto çështje, Amiri nuk ka qenë i gatshëm”.

“Arsyet e veprimit të tij nuk i di, ai është goxha i pjekur. A ka qenë i manipuluar nga dikush tjetër, apo pse ka dalë me atë veprim, unë nuk e kuptoj. Por çka mund të them për të gjithë është se ekipi kombëtar nuk mund të kushtëzohet me prezencën apo mosprezencën kush do qoftë, besoj që kjo vlen për të gjithë përfshirë Amirin”, deklaroi ai.

Përndryshe, Kosova do ta zhvillojë seancën e parë stërvitore këtë të enjte nga ora 17:00. /telegrafi