PDK-ja kërkon që Supremja të kthehet nga Haga në Kosovë e procesi i Speciales të ketë mbikëqyrje ndërkombëtare

Partia Demokratike e Kosovës, përmes Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i dorëzuar sot në Kuvend, ndër të tjera, synon dy ndryshime kryesore në mënyrën e funksionimit të këtij mekanizmi gjyqësor.

Ndryshimi i parë ka të bëjë me shkallën supreme: synimi është që ajo të ushtrojë funksionin e saj në Kosovë dhe jo në Hagë, ku aktualisht funksionojnë Dhomat e Specializuara, duke përfshirë panelet e Gjykatës Supreme.

Ndryshimi i dytë kryesor është krijimi i një mekanizmi për mbikëqyrje ndërkombëtare të procesit, me qëllim që funksionimi i Dhomave të Specializuara t’i nënshtrohet një forme më të qartë dhe të përcaktuar të kontrollit dhe mbikëqyrjes.

PDK-ja e dorëzoi projektligjin të hënën, më 21 shtator, në Kuvendin e Kosovës. Nisma vjen pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilin PDK-ja e ka kundërshtuar publikisht.

Pikërisht rikthimi i shkallës supreme në Kosovë dhe vendosja e mbikëqyrjes ndërkombëtare përbëjnë dy prej ndërhyrjeve kryesore që PDK-ja synon t’i realizojë përmes ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.