Ngordhin peshq të mëdhenj në liqenin e Badocit, peshkatarët kërkojnë verifikim të ujit
Të paktën tre peshq të mëdhenj të llojit Ballgjër janë gjetur të ngordhur në liqenin e Badocit, duke ngritur shqetësime te peshkatarët për gjendjen e ekosistemit ujor.
Shoqata e Peshkatarëve Sportivë Rekreativë “Krapi” bëri të ditur se gjatë së shtunës ka marrë njoftime nga terreni për peshqit e ngordhur. Sipas të dhënave të para, dy prej tyre kanë pasur peshë rreth 40 kilogramë, ndërsa një tjetër më shumë se 50 kilogramë.
Për shkak të reshjeve dhe kushteve të pafavorshme gjatë mbrëmjes, verifikimi në terren është ndërprerë përkohësisht. Shoqata ka njoftuar se inspektimet do të vazhdojnë për të përcaktuar shkakun e ngordhjes.
Shqetësim i veçantë për peshkatarët është fakti se Ballgjëri zakonisht qëndron në ujëra më të thella, ndërsa peshqit e gjetur janë konstatuar në zona të cekëta.
Sipas “Krapit”, vetëm tri ditë para rastit, një prej këtyre peshqve ishte filmuar i gjallë nga një peshkatar në një pjesë të liqenit ku thellësia ishte rreth një metër.
Shoqata ka bërë thirrje që rasti të hetohet dhe të verifikohet gjendja e ujit, në mënyrë që të kuptohet nëse bëhet fjalë për një rast të izoluar apo për një problem më të gjerë në liqenin e Badovcit.