Hoxhaj: Atë që Serbia e shkroi në vitin 2000 kundër UÇK-së, e dëgjuam në verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë për Klan Kosovën, ka lidhur verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me pretendimet e publikuara në Serbi që nga viti 2000.

Hoxhaj ka deklaruar se përshkrimet për qëllimet dhe veprimtarinë e UÇK-së, të paraqitura në një libër të botuar në Serbi në mars të vitit 2000, janë dëgjuar edhe në verdiktin e Gjykatës Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.

“Në mars të vitit 2000, në Serbi, është botuar një libër i cili pretendon se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pas për qëllim për ta marrë në kontroll fizik territorin e Kosovës. Që grupi i udhëheqësve të UÇK-së ka pas plane kriminale dhe që ky grup e ka marrë kontrollin e territorit jo vetëm në betejën me Serbinë, por edhe në betejë me kundërshtarët e tij të brendshëm, Këto përshkrime në këtë libër të botuar atëherë, ne i kemi dëgjuar në verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë, ndaj krerëve të UÇK-së”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka folur edhe për librin e ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, të botuar në prill të vitit 2008, duke e lidhur atë me nisjen e procedurave parlamentare në Këshillin e Evropës për hetimin e pretendimeve të saj.

“Libri i Carla DelPontes i cili ka dal në prill të 2008-ës pak javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i cili përmes një deputeti në Këshill të Evropës, Konstandin Kostaqev, është inicu si procedurë parlamentare që pretendimet e Carla DelPontes të hetohen përms një komisioni parlamentar. Kjo ka ndodhur në 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë”, ka thënë ai.

Sipas Hoxhajt, kjo periudhë u pasua nga publikimi i raportit të Dick Martyt, të cilin ai e ka cilësuar si kulminacion të asaj që e quan luftë speciale kundër Kosovës.

“Lufta speciale ka vazhdu dhe ka kulmu me prodhimin e raportit të Dick Martyt, raport i cili është shkru nga një politikan, se Dick Marty nuk ka qenë studiues, nuk ka qenë as akademik, nuk ka qenë as ndonjë anëtar i ndonjë instituti ose think tanku, ai ka qenë senator. Të gjitha faktet që i ka përdor Dick Marty në raport kanë qenë fabrikime të Rusisë dhe të Serbisë. Asnjëherë nuk ka pas trafikim të organeve, asnjë rast që paraqitet aty si fakt nuk ka qenë i vërtetë. Nuk ka pas asnjë shtëpi të verdhë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka kujtuar edhe reagimin e tij pas publikimit të raportit të Dick Martyt, duke treguar se fillimisht kishte kërkuar që autori i raportit të përballej me drejtësinë.

“Kur është publikuar për herë të parë raporti i tij, reagimi jonë i parë ka qenë që ta dërgojmë Dick Martyn në gjykatë, që ai të përballet me drejtësi, por edhe reagimi i ambasadorëve në atë kohë ka qenë që të mos i japim rëndësi këtij raporti”, ka thënë Hoxhaj. /klankosova