Pesë të arrestuar për vjedhje të rëndë në Leposaviq, gjenden automjeti dhe disa pajisje të vjedhura

Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, në zonën e Leposaviqit.

Rasti ishte iniciuar më 5 qershor 2026 në Stacionin Policor në Leposaviq, pas raportimit të një qytetari se, gjatë kohës kur ndodhej jashtë vendit, nga shtëpia e tij në fshatin Knezevo Berdo i ishin vjedhur një automjet, një motokultivator, tre gjeneratorë dhe mjete të tjera.

Sipas deklarimit të ankuesit, vlera e përgjithshme e sendeve të vjedhura ishte rreth 6 mijë euro.

Pas disa muajsh hetime dhe veprime operative, më 18 shtator policia ka siguruar informacione për vendndodhjen e automjetit të vjedhur, ndërsa më pas ka identifikuar edhe pesë persona të dyshuar për përfshirje në rast.

Të dyshuarit janë arrestuar në zonën e Leposaviqit dhe janë shoqëruar në stacionin policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin.

Sipas Policisë, gjatë intervistimit, të dyshuarit kanë pranuar se e kanë kryer veprën penale.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, katër prej të dyshuarve, me inicialet G.Z. (1995), D.D. (2003), N.P. (2007) dhe J.V. (1997), janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërkaq, i dyshuari N.S. (2004) është liruar dhe ndaj tij procedura do të vazhdojë në procedurë të rregullt.

Policia ka bërë të ditur se gjatë operacionit ka arritur të gjejë automjetin e vjedhur, motokultivatorin dhe disa nga pajisjet e tjera, të cilat më pas i janë kthyer pronarit.