Jashari kërkon anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kartën e Adriatikut

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka kërkuar pranimin e Kosovës me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut A5.

Kërkesën ai e paraqiti gjatë konferencës së kësaj nisme, e cila u mbajt në Zadar të Kroacisë.

Në konferencë morën pjesë komandanti i Komandës Amerikane për Evropë, gjeneral Alexus G. Grynkewich, dhe shefat e mbrojtjes nga Ballkani Perëndimor.

Diskutimet u përqendruan te sfidat aktuale gjeopolitike dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal. Ky bashkëpunim u vlerësua si i domosdoshëm për stabilitetin dhe paqen afatgjatë në Ballkan.

Gjatë fjalimit, Jashari paraqiti vizionin e Kosovës për të ardhmen e sigurisë rajonale.

Ai tha se tranzicioni i suksesshëm i FSK-së dëshmon gatishmërinë për të kontribuar në misione ndërkombëtare.

Sipas tij, Kosova është partnere e besueshme dhe meriton përfshirje të plotë në strukturat euroatlantike të sigurisë.

Në margjinat e konferencës, Jashari zhvilloi takim dypalësh me gjeneralin Grynkewich. Ai takoi edhe zëvendëskomandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, gjeneral Peter K. Scott.

Në këto takime u diskutua për rritjen e ndërveprueshmërisë, koordinimin operacional dhe zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së.

Jashari u takua gjithashtu me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneralmajor Stephen Osborn.

Ata diskutuan për zgjerimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy forcave.