Ish-diplomati austriak Petritschi për Thaçin: Ishte vërtet fytyra ndërkombëtare e UÇK-së

Ish-i dërguari i BE-së për Kosovën gjatë luftës, Wolfgang Petritsch, rrëfeu përvojën e tij me Hashim Thaçin gjatë negociatave të viteve 1998-1999, duke folur edhe për rolin e tij në UÇK dhe çështjen e zinxhirit komandues.

Në një intervistë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Petritschi tha se Thaçi ishte shumë i ri në moshë, por diplomatët perëndimorë e kishin vërejtur aftësinë e tij politike.

“Ishte shumë i ri, as 30 vjeç nuk i kishte mbushur. Në krahasim me presidentin jugosllav Slobodan Millosheviq, një politikan i regjur e me përvojë të thellë, ky ishte natyrisht një ndryshim i madh. Pavarësisht moshës së re, Thaçi kishte inteligjencën politike që i nevojitej situatës së asaj kohe”, tha Petritschi.

Duke kujtuar negociatat në Rambouillet, Petritschi tha se Thaçi përballej me një vendim të vështirë lidhur me kërkesat për çarmatosjen dhe shpërbërjen e UÇK-së.

“Si gjithnjë, ishte tejet i përqendruar dhe përgjigjej vetëm me fjali të shkurtra e të përmbledhura. Por ai druante se një vendim i gabuar mund t’i kushtonte me jetë në Kosovë”, rrëfeu ai.

Petritschi u ndal edhe te organizimi i UÇK-së, duke thënë se para diplomatëve ndërkombëtarë ajo paraqitej si strukturë me hierarki të qartë, por se kjo nuk përkonte domosdoshmërisht me funksionimin e saj në terren.

“UÇK-ja bënte përpjekje të mëdha për t’u paraqitur para nesh si një trupë ushtarake apo paraushtarake e organizuar mirë dhe me një hierarki strikte. Por përshtypja që ajo dëshironte të krijonte nuk përkonte domosdoshmërisht me realitetin”, tha ai.

Sa u përket akuzave për krime lufte ndaj Thaçit, Petritschi tha se gjatë vitit 1999 nuk kishte pasur dijeni për to.

“Në atë kohë nuk kisha dëgjuar asgjë lidhur me këtë”, tha Petritschi ndër të tjera. /metro