PDK-ja bën homazhe në nderim të Flora Brovinës
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në krye me kryetarin Bedri Hamza, ka bërë homazhe në Kuvendin e Kosovës, në nderim të jetës dhe veprës së ish-deputetes dhe veprimtares, Flora Brovina.
Flora Brovina ka vdekur më 15 shtator, në moshën 76-vjeçare.
Brovina ishte e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së, deputete e Kuvendit të Kosovës dhe një nga nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Ajo u lind në vitin 1949 në Skenderaj dhe u rrit në Prishtinë, ku kreu shkollimin fillor, ndërsa më pas studioi mjekësinë. Pas përfundimit të specializimit në Zagreb, Brovina u kthye në Kosovë.
Për një periudhë punoi si gazetare në gazetën “Rilindja”, ndërsa më vonë iu rikthye profesionit të mjekes. Për shumë vite shërbeu në Repartin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.
Krahas profesionit të saj, Brovina ishte e angazhuar edhe në letërsi dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave.
Në skenën politike të Kosovës, ajo shërbeu si deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për gjashtë mandate, nga viti 2001 deri në vitin 2019.
Me veprimtarinë e saj në mjekësi, politikë dhe angazhimin shoqëror, Flora Brovina mbetet një nga figurat e njohura të jetës publike të Kosovës. /eo