Ish-ambasadori Walker pas dënimit të katërshes së UÇK-së: Pse Vuçiqi nuk është thirrur në Hagë?!
Një moment të keq për Kosovën, të gjithë Ballkanin dhe Evropën e ka konsideruar ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë William Walker vendimin e djeshëm të Dhomave të Specializuara në Hagë, që dënoi me 81 vjet burg në total katër ish-krerët e UÇK-së.
Ai tha se procesi ka qenë keqmenaxhim i drejtësisë që nga fillimi.
“Një trishtim i plotë është një moment i keq për Kosovën, të gjithë Ballkanin dhe Evropën në përgjithësi. Procesi që nga fillimi ka qenë keqmenaxhim i drejtësisë. Procesi që zgjati 10 vite hetim nga zyra e prokurorit special, 6 vite nga të cilat 4 ishin në izolim pa asnjë lloj lirie përveç një dite për Thaçin kur iu lejua të shkonte në varrimin e babait. Por, përveç kësaj ata janë gjetur fajtorë në një kthim të historisë. Në 6 vite ata janë mbajtur në paraburgim sikur të ishin të fajshëm”, tha Walker.
Ai shprehu zhgënjimin me Bashkimin Evropian, sipas të cilit ka vënë shenjën e barazimit me tmerret e Serbisë, ndërkohë që nuk e ka thirrur presidentin serb në Hagë për të dëshmuar.
Sipas tij, ai ende kryen ritet që ka bërë si ministër i propagandës në kohën e Millosheviqit.
“Jam shumë i mërzitur me BE që për arsyet e veta politike ka dashur të vërë shenjën e barazimit për ato gjëra të tmerrshme që janë bërë nga qeveria e Serbisë, përfshirë edhe Vuçiq. Pse nuk është marrë ai nga Zyra e prokurorisë speciale, ose të thirret në Hagë... Nuk e di pse BE ka bërë bashkë një trupë gjykues për të akuzuar shqiptarët. Nëse kthehem te Vuçiqi, nga Beogradi ai ende kryen ritet që ka bërë si ministër i propagandës në kohën e Millosheviqit. Prandaj jam shumë i zhgënjyer me BE duke bërë një përqasje me paragjykim për të gjetur përgjegjësinë e tmerreve që ka shumë për të fajësuar”, tha ai për A2 CNN.
Ambasadori amerikan thekson se që prej luftës unë ka parë vetëm agresionin serb, ndërsa Kosova e Shqipëria kanë qenë paqësore.
Sipas Walkerit, trajtimi nga gjykata i UÇK-së si ushtri kombëtare është i gabuar.
“Lufta në Kosovë që unë pashë ishte e pabarabartë; nga përdorimi i pabarabartë i forcës, spastrimit etnik dhe që prej luftës unë kam parë agresionin të vijë vetëm nga Serbia dhe jo nga Shqipëria e Kosova. Kosova e Shqipëria kanë qenë të paqta. Unë e njoh UÇK, gjykata vazhdoi punimin se ajo ishte ushtri kombëtare dhe kishte zinxhir komandues dhe kjo është e gabuar. Siç u thanë nga shumë komandantë të rajoneve, UÇK ishte amalgamë pa një kokë qendrore. Ishin bashkë për një çështje të përbashkët. Sa herë jam ndeshur me UÇK-në, kam pasur të bëj me komandantë të rajoneve, ky është një keq gjykim nga drejtësia”, tha ai.