Kroacia: Vendimi i Hagës s’e ndryshon kontekstin e luftërave dhe faktin se populli i Kosovës ishte viktimë e Millosheviqit

Ministria e Jashtme e Kroacisë përmes një reagimi zyrtar ka thënë se janë në dijeni të aktgjykimit të Hagës për ish-krerët e UÇK-së.

“Kroacia merr në dijeni aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ky është një aktgjykim jopërfundimtar dhe ne nuk dëshirojmë të paragjykojmë rezultatin përfundimtar të procedurës”, thuhet në reagim.

MPJ-ja kroate thotë se ky aktgjykim s’mund ta ndryshojë kontekstin historik të luftërave dhe faktin se Kosova e popullsia e saj kanë qenë viktima të regjimit të Millosheviqit.

“Në të njëjtën kohë, ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftërave në Kosovë, e as faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të kryera nga regjimi i Millosheviqit”, thuhet në reagim.

“Përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk mund të shërbejë si bazë për relativizimin e këtyre krimeve, e as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, përfundon reagimi.