Rritet konsumi i energjisë elektrike në Kosovë

Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë arriti në 415,84 GWh gjatë korrikut 2026. Kjo paraqet rritje prej 21,20% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas ASK-së rritja më e madhe e konsumit është regjistruar në industri. Ky sektor shpenzoi 53,41 GWh energji elektrike, ose 180,80% më shumë se një vit më parë.

Konsumi nga sektori komercial arriti në 124,62 GWh, duke u rritur për 33,16%. Amvisëritë shpenzuan 217,71 GWh, ose 2,24% më shumë se në korrikun e vitit paraprak.

Amvisëritë përbënin 52,4% të konsumit të përgjithshëm, ndërsa sektori komercial kishte pjesëmarrje prej 30%. Industria përfaqësonte 12,8% të energjisë së shpenzuar.

Sipas ASK-së, prodhimi bruto nga hidrocentralet arriti në 14,12 GWh. Krahasuar me korrikun 2025, kjo paraqet rritje prej 91,71%.

Termocentralet prodhuan 386,26 GWh, ose 1,13% më shumë se një vit më parë. Ndërkaq, prodhimi nga era dhe energjia diellore ra për 20,95%, në 20,46 GWh.

Pjesëmarrja e energjisë alternative në konsumin e përgjithshëm ishte 8,31%.

Kosova, gjithnjë sipas ASK, importoi 319,99 GWh energji elektrike gjatë korrikut, 5,23% më pak se vitin e kaluar. Në të njëjtën periudhë u eksportuan 289,45 GWh, përfshirë edhe sasinë e transmisionit. Rritja e eksportit është për 18,55%.

Prodhimi i thëngjillit arriti në rreth 476,6 mijë tonë, duke shënuar rritje prej 25,28%, krahasuar me korrikun 2025.