Inspektorati i Punës ndalon përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në “Mati 1” Prishtinë
Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në lagjen "Mati 1" në Prishtinë, pas konstatimit të parregullsive në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, gjatë inspektimit në këtë objekt janë evidentuar mangësi lidhur me marrjen e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë së punëtorëve.
Për shkak të këtyre shkeljeve, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve.
Punimet do të mundë të rifillojnë pas eliminimit të të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimit të kushteve të sigurta për zhvillimin e veprimtarisë.
Inspektorati ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, ndërsa u ka bërë thirrje punëdhënësve që t’i respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, me qëllim të parandalimit të aksidenteve.