Jorge Mendes s’ka dyshime: Lamine Yamal më i miri në botë, e meriton Topin e Artë
Agjenti i njohur portugez Jorge Mendes beson se ylli i Barcelonës, Lamine Yamal, është aktualisht futbollisti më i mirë në botë dhe se duhet ta fitojë “Topin e Artë” për vitin 2026.
Mendes e ka mbështetur fuqishëm 19-vjeçarin në garën për çmimin më prestigjioz individual në futboll, ku ndër rivalët kryesorë të tij është edhe sulmuesi i Real Madridit, Kylian Mbappe.
Deklarata e Mendes erdhi pas një darke rreth dyorëshe me presidentin e Barcelonës, Joan Laporta. Duke folur para gazetarëve pas takimit, portugezi nuk la vend për dilema lidhur me kandidatin e tij të preferuar.
“Topi i Artë është për Lamine Yamal, pa asnjë dyshim. Është ai që e meriton më së shumti. Është më i miri në botë, me diferencë të madhe, dhe ju e dini këtë”, deklaroi Mendes.
Vetë Yamal kishte shprehur më herët një bindje të ngjashme gjatë intervistës në “Universo Valdano”, duke e vendosur veten dhe Mbappen në krye të futbollit botëror.
“Kujt do t’ia jepja? Lojtarit më të mirë në botë. Sinqerisht, kur flasim për më të mirin në botë, ndoshta jemi dy: unë dhe Mbappe. Mendoj se këtë vit e meritoj për shkak të asaj që kam arritur”, kishte deklaruar talenti i Barcelonës.
Yamal shtoi se për të zgjedhja është e qartë dhe se paraqitjet në fushë flasin vetë.
“Për mua është shumë e qartë dhe të gjithë ata që i shikojnë ndeshjet e dinë këtë”, tha ai.
Kandidatura e Yamalit është forcuar ndjeshëm nga një sezon i jashtëzakonshëm me Barcelonën dhe kombëtaren e Spanjës. Ai ndihmoi Spanjën të shpallej kampione e botës në vitin 2026, ndërsa me Barcelonën fitoi La Ligën dhe Superkupën e Spanjës.
Në sezonin 2025/26, Yamal regjistroi 24 gola dhe 18 asistime në 45 ndeshje në nivel klubesh, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës katalanase.
Megjithatë, gara për “Topin e Artë” mbetet e fortë. Përveç Yamalit dhe Mbappes, në mesin e kandidatëve kryesorë përmenden edhe emra si Harry Kane dhe Rodri.
Fituesi i “Topit të Artë 2026” do të shpallet më 26 tetor në Londër. Edicioni i 70-të do të jetë historik, pasi ceremonia do të zhvillohet për herë të parë jashtë Parisit, në nder të fituesit të parë të këtij çmimi, anglezit Stanley Matthews.
Deri atëherë, gara mes Yamalit, Mbappes dhe kandidatëve të tjerë pritet të mbetet një nga temat më të diskutuara në futbollin evropian. /express