Shtetet e Gjirit anulojnë takimin me Iranin, Huthët sulmojnë sërish Arabinë Saudite
Shtetet arabe të Gjirit kanë anuluar një takim të planifikuar me Iranin për të hënën, ndërsa rebelët Huthi në Jemen kanë ndërmarrë një sulm të ri ndaj Arabisë Saudite. Përplasjet, që tashmë janë shtrirë edhe në një tjetër front të luftës në Lindjen e Mesme, po rrisin shqetësimet për sigurinë e furnizimeve globale me naftë.
Huthët, të mbështetur nga Irani, thanë se të hënën kanë lëshuar dhjetëra raketa dhe dronë drejt një baze ushtarake saudite në Khamis Mushait, pranë kufirit me Jemenin.
Sipas tyre, sulmi ishte hakmarrje për qindra sulme ajrore saudite ndaj Jemenit gjatë ditëve të fundit. Autoritetet saudite njoftuan për alarme të shkurtra emergjente në këtë qytet dhe në tri qytete të tjera jugore, të cilat edhe më parë kanë qenë cak i sulmeve të Huthëve, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.
Huthët kanë nisur një avancim të shpejtë në Jemen gjatë javës së kaluar, ndërsa të premten morën kontrollin e një ishulli në hyrje të Detit të Kuq.
Po atë ditë, një sulm tjetër, për të cilin Riadi fajësoi luftëtarë të mbështetur nga Irani në Irak, nxori jashtë funksionit tubacionin saudit që lidh lindjen dhe perëndimin e vendit. Ky tubacion është një nga rrugët kryesore për transportimin e naftës së Lindjes së Mesme, duke anashkaluar Ngushticën e bllokuar të Hormuzit.