Boris Johnson dhe zyrtarë evropianë evakuohen nga treni pranë Polonisë, pak më pas droni rus godet trenin tjetër

Ish-kryeministri britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të lartë evropianë u detyruan të ndalonin udhëtimin dhe të evakuoheshin pjesërisht nga treni në të cilin po udhëtonin nga Kievi drejt Polonisë, pasi një sulm me dron rus goditi një tren tjetër pasagjerësh në të njëjtën linjë, pranë kufirit polak.

Në trenin special ndodhej edhe Günter Sautter, këshilltari i kancelarit gjerman Friedrich Merz për politikën e jashtme dhe sigurinë, si dhe këshilltarë të sigurisë nga Britania e Madhe, Franca dhe Italia. Në bord ishin edhe diplomatë, deputetë gjermanë dhe zyrtarë të tjerë evropianë.

Sipas raportimeve, alarmi u dha rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur treni me delegacionin u ndal pranë kufirit me Poloninë. Disa pasagjerë u evakuuan përkohësisht, ndërsa më vonë u dha sinjali se rreziku kishte kaluar dhe udhëtimi vazhdoi drejt Polonisë.

Pak më pas, një dron rus goditi lokomotivën e një treni tjetër që po udhëtonte në linjën Kiev–Varshavë, rreth dy kilometra larg kufirit me Poloninë. Lokomotiva ishte evakuuar paraprakisht dhe, sipas autoriteteve ukrainase, nuk pati të lënduar.Incidenti ndodhi pasi Johnson dhe zyrtarët evropianë kishin marrë pjesë në një konferencë të sigurisë në Kiev. Ish-kryeministri suedez Carl Bildt, i cili ishte në trenin me zyrtarët, tha se treni që u godit ishte ai që kaloi menjëherë pas tyre pranë kufirit.

Sulmi shkaktoi alarm edhe në anën polake të kufirit. Polonia aktivizoi masat e saj të sigurisë ajrore dhe ngriti avionë luftarakë në përgjigje të sulmeve ruse pranë kufirit. Autoritetet polake thanë se hapësira ajrore e vendit nuk ishte shkelur.

Sulmi ndaj trenit ishte pjesë e një vale të gjerë sulmesh ruse me dronë dhe raketa në Ukrainë, ku u goditën edhe infrastruktura hekurudhore dhe objekte të tjera civile.