“PriFest” ndan çmimet e “PriForum”, festivali vazhdon me programin filmik

Në kuadër të edicionit të 18-të të PriFest janë ndarë çmimet e PriForum – Best Pitch Competition, duke vlerësuar projektet më premtuese të prezantuara në këtë platformë të rëndësishme të festivalit.

Çmimi Production Equipment Support, i dhënë nga IKONË STUDIO në Kosovë, i është ndarë projektit “The Space Between” nga Shqipëria. Video Postproduction Support, i dhënë nga In My Country Production në Kosovë, ka shkuar për projektin “Tozbaba” nga Turqia, ndërsa Full Re-Recording, Mix dhe Technical Delivery Package, i dhënë nga Apophenia nga Maqedonia e Veriut, i është ndarë projektit “Nobody Loves Sadik” nga Maqedonia e Veriut.

Në kategorinë Development Award – Kosovar Project, çmimi i dhënë nga Qendra Kinematografike e Kosovës i është ndarë projektit “Ada” nga Kosova. Ndërkaq, çmimi kryesor, Vanessa Redgrave Award for Best Pitch, i dhënë nga QKK, ka shkuar për projektin “A Brighter Word Than Bright” nga Turqia.

PriForum vazhdon të jetë një prej platformave të rëndësishme të PriFest, duke krijuar mundësi për prezantimin dhe zhvillimin e projekteve të reja filmike, si dhe duke afruar autorët me profesionistë të industrisë ndërkombëtare të filmit.

Programi i së shtunës solli gjithashtu një përzgjedhje të filmave të shkurtër dhe të mesëm në kuadër të Medium Competition dhe Short Competition. Para publikut u shfaqën “Blue Days” me regji të Lina Pavlovës, “The Nocturnes” nga Siham Bel, “M(i)TRA” nga Genti Deçka, “The Wind in Ash” nga Kun Sun dhe “Hyena” nga Altay Ulan Yang.

Një prej momenteve të veçanta të programit ishte edhe shfaqja e filmit “Vidra” (Otter), me regji të Srëan Vuletië, pjesë e Balkan Competition. Filmi ndjek historinë e Hanës, një vajze 16-vjeçare, e cila përballet me humbjen e papritur të babait dhe zhgënjimin nga dashuria e saj e parë. Përmes përvojës së saj, “Vidra” trajton rritjen, humbjen, marrëdhëniet familjare, pritjet shoqërore dhe kërkimin e vetvetes në një periudhë të ndjeshme të jetës.

“Vidra” është bashkëprodhim mes Malit të Zi, Italisë, Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës. Në kastin e filmit janë edhe aktorët kosovarë Fatmir Spahiu, Aurita Agushi dhe Edona Reshitaj, ndërsa Spahiu është pjesë edhe e ekipit të bashkëprodhuesve të projektit.

Filmi pati premierën botërore në Festivalin e Filmit të Sarajevës në vitin 2025, në programin zyrtar konkurrues, ndërsa më pas ka vijuar rrugëtimin në festivale ndërkombëtare. “Vidra” është vlerësuar edhe me çmimin për Skenarin më të Mirë në Montenegro Film Festival në Herceg Novi.

Ndërkohë, PriFest ka njoftuar se nesër, më 13 shtator, do të mbahet konferenca e përditshme për media, ku do të marrin pjesë ekipet e filmave të shfaqur gjatë programit. Në konferencë do të jenë përfaqësuesit e filmave të shkurtër dhe të mesëm, si dhe ekipi i “Vidra”, të cilët do të flasin për procesin krijues, temat e filmave dhe përvojën e pjesëmarrjes në edicionin e 18-të të festivalit. I pranishëm do të jetë edhe ekipi i filmit “Shame and Money”, për të diskutuar më shumë rreth projektit dhe rrugëtimit të tij filmik.

Konferenca për media mbahet në orën 11:00, në Lounge të Kino Armata. /KultPlus