PDK-ja tërheq kandidaturën e Çitakut për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës
Partia Demokratike e Kosovës ka tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit.
Në adresimin e kësaj partie drejt kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu thuhet se kandidatura e Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës tërhiqet përkohësisht.
Sipas letrës, ky vendim vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e shkeljeve të vazhdueshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
"Ky vendim nuk është një veprim i zakonshëm politik dhe as refuzim i përgjegjësisë sonë institucionale. Përkundrazi, ai është pasojë e drejtpërdrejtë e shkeljeve të vazhdueshme, të përsëritura dhe tashmë të pajustifikueshme të afateve dhe detyrimeve kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës", thuhet në letër.