Vajza e Salih Mustafës: Drejtësia e vërtetë s’mund të barazojë ushtarët çlirimtarë me xhelatët serbë

Buna Mustafa, vajza e Salih Mustafës-Cali, i dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mund të barazohet me forcat serbe, duke theksuar se lufta ishte për liri dhe çlirim, raporton Ekonomia Online.

Në fjalimin e saj në “Marshin për Liri”, ajo ka përmendur viktimat civile, të zhdukurit dhe dëmet e shkaktuara gjatë luftës në Kosovë, duke thënë se hendeku mes UÇK-së dhe forcave serbe është i madh.

“Një ushtri që u zgjua nga populli dhe krijoi uniformën e vet, me të cilën nuk terrorizoi asnjë civil, nuk dhunoi e nuk abuzoi me asnjë grua e asnjë fëmijë të përkatësisë tjetër. Prandaj, nderoj emblemën e vet, përkundër regjimit fashist serb që na i shkaktoi për mbi 13.000 viktima civile, na i vrau e na i masakroi 1.400 fëmijë. Dhunoi e abuzoi seksualisht me 20.000 nëna e motra tonat. I zhduku 1.500 bashkëqytetarë dhimbjen e të cilëve familjet e tyre nuk mundën ta shuajnë dot kurrë. Kreu 400 masakra rreth e këmbë Kosovës. Krijuan varreza masive të shqiptarëve që edhe në ditët e sotme po zbulohen, na shkaktuan dëme kolosale materiale në vendin tonë. Andaj, hendeku është aq i madh saqë drejtësia e vërtetë nuk mund të barazojë kurrë ushtarët çlirimtarë me xhelatët serbë. Nuk mund të barazojë kurrë ata që sollën lirinë me ata që kryen gjenocid. Para drejtësisë së vërtetë do të jemi gjithmonë të pastër dhe shpirti i bardhë i ushtarëve tanë do të mbetet përgjithmonë i padiskutueshëm”, tha ajo.

Mustafa ka kritikuar edhe, siç e ka cilësuar ajo, përdorimin e luftës së Kosovës për interesa politike apo përplasje mes individëve e grupeve të interesit.

“Të hedhësh në pazaret e Evropës luftën tonë për interesa të ulëta, apo për qerime hesapësh, mes individëve apo grupeve të interesit, është si të luash dorën e djallit. Kjo do të thotë se ata po mundohen të godasin themelet e lirisë tonë duke i kryqëzuar ushtarët tanë të lirisë. Për çlirimtarët tanë e dinin më së miri se çfarë është jeta dhe liria. Ata ishin të gatshëm të vdisnin për të, dhe disa edhe vdiqën, që ne të gjallët që jemi sot këtu, të jetojmë me respekt dhe me dinjitet, dhe jo kokëulur, me nënshtrim dhe me frikë”, tha ajo, raporton EO