Dështon ardhja e Rita Orës në “Akordet e Kosovës”, organizatorët s’e përballuan koston financiare

Organizatorët e Festivalit të Këngës në RTK, i cili nga ky vit ka emër të ri si “Akordet e Kosovës”, kishin planifikuar të sjellin yllin shqiptar me famë botërore, Rita Ora, si mysafire speciale të festivalit këtë vit.

“Zëri” ka mësuar se organizatorët e Festivalit kanë qenë në diskutim me menaxhmentin e këngëtares, që ta kishin mysafire këtë tetor në Prishtinë, si e ftuar speciale, por e njëjta ka dështuar.

Ardhja e Rita Orës në festival nuk është arritur për shkak të çmimit të lartë që menaxhmenti i këngëtares ka kërkuar, raporton Zeri.info.

Organizatorët deri në fund kanë tentuar që ta sjellin vetëm këngëtaren në Kosovë, pa ndonjë staf të madh, por edhe kjo ka qenë e paarritshme për shkak të financave.

Drejtoresha e festivalit “Akordet e Kosovës”, Arta Avdiu, para Bordit të RTK-së tha se ka insistuar të bisedonte edhe me familjen e këngëtares, për të cilën nuk përmendi emër, por tha se kostoja ka qenë e papërballueshme.

“Nuk është që s’kam insistu me familjen e saj për të qenë, por ajo është kosto shumë e kushtueshme. Natyrisht që ka kërkuar kosto të madhe dhe ne s’kemi pas mundësi as me mendu tutje”, tha Avdiu para anëtarëve të Bordit, pa zbuluar se bëhet fjalë për këngëtaren Rita Ora.

Kujtojmë që në muajin maj të këtij viti RTK-ja ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Kulturës, përmes së cilës RTK-ja do të marrë 1.2 milion euro për tre vjet, nga 400 mijë euro në vit, duke filluar prej këtij viti për festivalin “Akordet e Kosovës”, i cili përveç emrit, nuk ka ndryshuar asgjë në rregulloren e vjetër të Festivalit të Këngës. /Zëri