A mundet Haxhiu ta ushtrojë detyrën e presidentes edhe për gjashtë muaj të tjerë?
Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore gjatë së cilës, sipas Kushtetutës, postin e presidentit të Kosovës mund ta mbajë një ushtrues detyre.
Albulena Haxhiu, si kryeparlamentare e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, filloi ta ushtronte detyrën e presidentes më 4 prill, kur Vjosa Osmanit i mbaroi mandati.
Ajo sot u rizgjodh kryeparlamentare dhe nga partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, ka pasur zëra se ajo mund ta vazhdojë ushtrimin e detyrës së presidentit edhe për një periudhë tjetër gjashtë mujore, nëse presidenti i ri nuk zgjidhet këtë muaj.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, kishte thënë më herët për REL-in se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit “është e varur nga pozita e kryetarit të Kuvendit”.
Sipas tij, pas zgjedhjes, kryetari i ri i Kuvendit nis ushtrimin e detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e presidentit. Afati prej gjashtë muajsh, i përcaktuar nga Kushtetuta, nis të rrjedhë nga fillimi, me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, thotë ai.
“Është në frymën dhe përmbajtjen, por edhe në funksionin e Kushtetutës, që të garantojë vazhdimësi institucionale. Asnjëherë, e për asnjë arsye, vendi nuk mund të mbetet pa president apo pa ushtrues detyre të presidentit. Vakum institucional nuk mund të ketë në asnjë rrethanë”, deklaron Rrustemi për Radion Evropa e Lirë.
Por kjo është hedhur poshtë nga ekspertë ligjorë.
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), i tha më herët REL-it se periudha gjashtëmujore për ushtrimin e detyrës së presidentit përbën afat absolut, dhe si i tillë nuk mund të përsëritet në asnjë skenar.
Moszgjedhja e presidentit të ri, deri më 4 tetor, sipas Cakollit, përbën skenarin më të rrezikshëm kushtetues me të cilin mund të ballafaqohet Kosova.
“Në një situatë të tillë, vendi do të hynte në një terren kushtetues, i cili, përveçse do të ishte serioz dhe i rrezikshëm, do të duhej medoemos të kishte parashtresë në Gjykatën Kushtetuese”, theksoi ai.
Melos Kolshi, hulumtues ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), i tha REL-it se pas 4 tetorit, çdo vazhdim i ushtrimit të detyrës së presidentit do të ishte pa bazë kushtetuese, dhe do të cenonte seriozisht rendin kushtetues.
Edhe Presidenca i kishte thënë REL-it më herët kryetari i ri i Kuvendit do të vazhdonte ushtrimin e detyrës së presidentit deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
“Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, kushdo qoftë ai ose ajo, ushtrimi i detyrës së presidentit kalon te kryetari i ri i Kuvendit, deri në zgjedhjen e presidentit të Republikës”, tha Presidenca në një përgjigje për REL-in.