Hoxha dënon nderimet ndaj Mlladiqit: Glorifikimi i kriminelëve, kundër vlerave të BE-së

Shqipëria dënon ashpër nderimet me të cilat u përcoll në Serbi Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e cilësoi glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit si të papajtueshëm me vlerat evropiane.

Reagimi i ministrit Ferit Hoxha erdhi pas ceremonisë mortore të Ratko Mlladiqit në Serbi, ku ish-komandanti serb i Bosnjës u përcoll me nderime.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Hoxha theksoi se Shqipëria i bashkohet qëndrimit të Bashkimit Evropian dhe udhëheqësve të tij në dënimin e glorifikimit të një personi të dënuar për disa nga krimet më të rënda të luftës në Bosnjë.

“Shqipëria dënon glorifikimin e Ratko Mlladiq, një kriminel lufte i dënuar që vdiq ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ne i bashkohemi Bashkimit Evropian, udhëheqësve të tij dhe të gjithë atyre që me të drejtë kanë dënuar mënyrën se si ai u nderua në Serbi. Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe mbetet konsistent: glorifikimi i kriminelëve të luftës të dënuar dhe mohimi i gjenocidit bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar projekti evropian”, ka shkruar Hoxha.

Sipas Hoxhës, akte të tilla nuk rihapin vetëm plagët e së kaluarës, por dëmtojnë edhe marrëdhëniet mes komuniteteve dhe fyejnë viktimat dhe të mbijetuarit.

“Akte të tilla shkaktojnë më shumë dëm sesa thjesht rihapja e plagëve të së kaluarës. Ato fyejnë viktimat dhe të mbijetuarit, gërryejnë besimin midis komuniteteve dhe njerëzve”, ka potencuar Hoxha.

Hoxha theksoi se e ardhmja e Ballkanit duhet të ndërtohet mbi paqen, pajtimin, bashkëpunimin dhe respektin e ndërsjellë.