Kurti për varrimin e Mlladiqit: Mohimi nuk mjafton, Serbia ka kaluar në adhurim të gjenocidit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me ceremoninë e varrimit të ish-komandantit të ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mlladiq, në Beograd, duke akuzuar Serbinë për glorifikim shtetëror të një figure të dënuar për gjenocid dhe krime lufte.

Në një postim në Facebook, Kurti ka bërë një krahasim mes ngjarjeve të shënuara në Kosovë gjatë ditëve të fundit dhe ceremonisë së organizuar në Serbi për Mlladiqin.

“Pardje e kemi shënuar 27-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës. Të shtunën e kemi shënuar 29-vjetorin e shkuarjes në amshim të Nënë Terezës dhe 10-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku. Ndërsa dje, e kemi shënuar ditën e Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës nga viti 1990, apo siç njihet në mënyrë të popullarizuar, të Kushtetutës së Kaçanikut”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, ndërkohë që Kosova shënonte këta përvjetorë, Serbia ishte përgatitur për ceremoninë mortore të Mlladiqit.

Kurti e ka cilësuar Mlladiqin si “fajtorin e gjenocidit në Srebrenicë”, duke përmendur se në korrik të vitit 1995 u vranë 8,372 boshnjakë, kryesisht burra dhe djem.

Ai ka theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është i dokumentuar përmes dëshmive të të mbijetuarve, identifikimeve forenzike, varrezave masive dhe dokumentimit të operacionit të vrasjeve dhe fshehjes së trupave.

“Ratko Mlladiq ishte komandanti i kësaj makinerie, jo dëshmitari i saj”, ka shkruar Kurti.

Duke e lidhur Mlladiqin me ish-presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviq, Kurti ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj Beogradit.

“Sllobodan Millosheviq është quajtur me të drejtë kasap i Ballkanit dhe ky kasap ka pasur shumë thika, por Ratko Mlladiq ishte sëpata e tij kryesore, të cilin e glorifikojnë tash Beogradi zyrtar”, ka deklaruar ai.

Kurti është ndalur edhe te përgjegjësia e Serbisë lidhur me gjenocidin në Srebrenicë, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2007.

Sipas tij, shteti serb, i cili për vite nuk e kishte dorëzuar Mlladiqin para drejtësisë, tash e përcolli ceremoninë mortore të tij me nderime shtetërore.

“Kështu mohimi i gjenocidit kaloi nga deklarata politike në liturgji shtetërore”, ka shkruar Kurti.

Ai ka kritikuar gjithashtu pjesëmarrjen e institucioneve shtetërore dhe fetare serbe në ceremoninë mortore, duke përmendur praninë e ushtrisë, ministrave, klerikëve dhe orkestrës.

Në fund, Kurti ka vlerësuar se zhvillimet e fundit tregojnë një përshkallëzim të qëndrimit të Serbisë ndaj figurës së Mlladiqit.

“Dhe nga dita e djeshme, mohimi është fjalë e pamjaftueshme. Serbia ka kaluar në adhurim shtetëror të gjenocidit”, ka përfunduar Kurti./Zëri