Shoqëria civile kërkon zgjerimin e sponsorizimeve në të gjitha fushat me interes publik
Rrjetet e shoqërisë civile, që përfaqësojnë mbi 200 organizata në Kosovë, kanë prezantuar nismën avokuese për zgjerimin e mekanizmit të sponsorizimeve edhe në fusha të tjera me interes publik, përtej rinisë, kulturës dhe sportit.
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile kanë vlerësuar se zgjerimi i këtij mekanizmi do të ndihmonte në krijimin e qëndrueshmërisë financiare të OJQ-ve dhe në përmirësimin e shërbimeve për grupet e cenueshme, duke përfshirë arsimin, shëndetësinë, të drejtat e njeriut, mbrojtjen e fëmijëve, gratë, shërbimet sociale dhe mjedisin.
Drejtoresha e KOMF-it, Donjeta Kelmendi, tha se kuadri aktual ligjor mundëson sponsorizimet kryesisht në fushën e rinisë, kulturës dhe sportit, por sipas saj, ky mekanizëm duhet të zgjerohet edhe në fusha të tjera me interes publik.
“Siç e dini, kuadri aktual ligjor kryesisht mundëson sponsorizimet në fushën e rinisë, kulturës dhe sportit, dhe shumë mirë që mundëson, është një vlerë shumë e shtuar për shtetin e Kosovës. Megjithatë, ne si shoqëri civile konsiderojmë që edhe fushat e tjera të cilat janë në interes publik, sikurse arsimi, shëndetësia, të drejtat e njeriut, mbrojtja e fëmijëve, shërbimet sociale, mbrojtja e grave, mbështetja e komunitetit, mjedisi, zhvillimi i shoqërisë civile dhe avokimit, të gjitha janë fusha me interes publik të cilat do të duhej të përfshiheshin në kuadrin e mekanizmit të sponsorizimeve”, tha ajo.
Kelmendi tha se nisma synon që nga reforma e kuadrit të sponsorizimeve të përfitojnë qytetarët, sidomos grupet në nevojë, shoqëria civile dhe partneriteti ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.
“Ky është një takim i cili ka për qëllim prezantimin e nismës, megjithatë do të ketë edhe takime të tjera dhe iniciativa, veprime të tjera për të shtyrë përpara këtë proces, me qëllim që në fund ne presim që nga kjo reformë e kuadrit të sponsorizimeve të përfitojnë fushat me interes publik, të përfitojnë qytetarët e Kosovës, dhe sidomos ata të cilët janë në nevojë. Të përfitojë shoqëria civile në diversifikim të fondeve, të përfitojë sigurisht edhe qeveria nga partneriteti me sektorin privat, dhe një fuqizim më të madh edhe me sektorin e shoqërisë civile”, tha ajo.
Drejtori ekzekutiv i platformës CiviKos, Dardan Kryeziu, tha se iniciativa është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për krijimin e qëndrueshmërisë financiare të organizatave joqeveritare dhe forcimin e partneritetit me sektorin privat.
“Ky takim sot nuk është ndonjë takim fillestar që kemi filluar sa i përket kësaj teme, është një pjesë e vazhdimësisë së iniciativës sonë që kemi filluar kohë më moti sa i përket qëndrueshmërisë financiare të OJQ-ve, me fokus krijimin e partneriteteve sa i përket me sektorin privat. Ky është domethënë qëllimi dhe synimi ynë kryesor, që këtë partneritet ta rrisim pak më shumë me sektorin privat”, tha ai.
Ai tha se organizatat e shoqërisë civile ofrojnë shërbime në shumë fusha të rëndësishme për qytetarët dhe grupet e cenueshme, ndërsa largimi i USAID-it dhe disa donatorëve ndërkombëtarë, sipas tij, e ka bërë edhe më të nevojshme këtë nismë.
“Jo vetëm organizatat e kulturës, sportit edhe rinisë, por organizatat e shoqërisë civile në Kosovë bëjnë shumë punë sa i përket temave të ndryshme, siç janë puna me fëmijë, persona me nevoja të veçanta, me gra, me grupe të ndjeshme, të drejtat e njeriut edhe shumë fusha të tjera që janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Andaj, fuqizimi edhe krijimi i qëndrueshmërisë për këto organizata nënkupton edhe shërbime më të mira për të gjitha këto grupe. Largimi i USAID-it edhe i disa donatorëve ndërkombëtarë tash po e bën edhe më të nevojshme këtë iniciativë”, tha Kryeziu.
Drejtori nga Zyra për Qeverisje të Mirë, Habit Hajredini, e përkrahu nismën, duke thënë se ajo duhet të shërbejë për krijimin e një kornize adekuate ligjore për sponsorizimet.
“Fillimisht po dua me përkrahur një nismë të tillë, sepse kjo është një nismë që ka me u rrugëtuar për të arritur te një progres, i një kornize ligjore adekuate që ka të bëjë me sponsorizimin. Këtë duhet ta kuptojmë. Dhe kur ka nisma të tilla, ato me siguri që reflektojnë, sjellin domethënë progres, lypet shumë komunikim dhe me i pasur instancat përgjegjëse adekuate këtu, jo vetëm në këtë takim, por që të gjithë i çojnë tutje”, tha ai.
Hajredini tha se për një nismë të tillë nevojitet përfshirja e institucioneve përgjegjëse dhe krijimi i një baze të mirëfilltë në politikat nacionale.
“Si Zyrë për Qeverisje të Mirë që kemi mandat për të rritur dhe për të forcuar bashkëpunimin apo dialogun mes Qeverisë dhe shoqërisë civile nëpërmjet dokumenteve strategjike, siç është Strategjia për Bashkëpunim mes Qeverisë dhe Shoqërisë Civile. Ne kemi paraparë me një dokument të politikës nacionale, sepse gjithmonë nismat që duhet të merren, ato për t’u jetësuar e për të pasur zbatim të duhur, duhet të kenë një bazë të mirëfilltë në politika nacionale”, tha ai.
Zëvendësja e Avokatit të Popullit, Anita Korenica, tha se një mekanizëm i tillë duhet të krijojë një balancë ndërmjet sektorit privat, organizatave joqeveritare, shtetit dhe qytetarëve që përfitojnë shërbimet.
“Fillimisht, dua të theksoj se një mekanizëm i tillë, nga të them katër elemente përmban: E para është sektori privat (bizneset), të cilat edhe në metoda të tjera mund të kontribuojnë në të drejtat e njeriut, për shembull duke i respektuar të drejtat e grave, nëse krijojnë shumë mbeturina duhet duke që ato të shkojnë në deponi të veçanta, duke bërë kënde për fëmijët, për shembull në objektet e tyre etj. E dyta është OJQ-të, të cilat ofrojnë shërbime për grupet e cenueshme e të tjera dhe të cilat për shkak të fondeve nuk po munden tashmë me i ofruar. E treta është shteti, i cili po ashtu e ka kompetencë, domethënë është detyrim pozitiv i shtetit të kujdeset për të drejtat e njeriut. Dhe e katërta është njeriu, i cili i përfiton këto shërbime. Një mekanizëm i tillë duhet të ketë kujdes që të ketë balancën e të gjitha këtyre elementeve”, tha ajo.
Ndërkaq, drejtori i Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Besnik Vasolli, tha se nuk ka arsye pse sponsorizimet të kufizohen vetëm në sport, kulturë dhe rini, duke kërkuar që ato të mundësohen edhe në fusha të tjera të rëndësishme për shoqërinë.
“Dhe me të vërtetë është shumë e vështirë me i shpjeguar pse i sponsorizojmë krejt sportin, kulturën e rinisë – që shkon koxha mund e është mirë me vazhduar me i sponsorizuar se kemi nevojë – po është vështirë me shpjeguar pse nuk mundësohet sponsorizimi edhe i këtyre fushave të tjera dhe jo vetëm. Ne kemi edhe për probleme të tjera në shoqëri, kemi nevojë me u adresuar, si dhuna në familje, dhuna ndaj grave, po edhe çështje të tjera për njerëz me aftësi të kufizuara, e të tjera e të tjera”, tha ai.
“Kështu që mendoj që është shumë e vështirë me e shpjeguar pse ne jemi të limituar edhe për këtë arsye e pëlqej shumë këtë debat që po e bëjmë, dhe shpresoj që do të kemi mundësi me e ngritur ndoshta edhe në nivele më të larta”, tha Vasolli. /eo