Shoqata e Qumështoreve kërkon zbatim të plotë të vendimit për vajin e palmës dhe qumështin pluhur

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka reaguar lidhur me zbatimin e vendimit të Inspektoratit për ndalimin e produkteve që përmbajnë vaj palme dhe qumësht pluhur, duke kërkuar që vendimi të zbatohet plotësisht dhe pa përjashtime.

Në reagimin e saj, Shoqata thotë se, ndonëse në rrjetet e marketeve është vërejtur një përmirësim i dukshëm, produkte të tilla, sipas saj, vazhdojnë të qarkullojnë përmes shitjeve direkte në furra, restorante dhe subjekte të tjera të gastronomisë.

“Vendimet shtetërore nuk janë opsion – duhet të zbatohen!”, thuhet në reagim.

Shoqata kërkon nga institucionet përgjegjëse që të ndalin prodhimin ilegal dhe të hetojnë se ku po përfundojnë produktet e larguara nga tregu.

“Të gjurmohet dhe hetohet ku janë duke përfunduar prodhimet e larguara nga tregu”, kërkon Shoqata, duke vlerësuar se moszbatimi i vendimeve nuk duhet të mbetet pa pasoja.

Një tjetër kërkesë e Shoqatës është edhe tërheqja e licencave të operatorëve që nuk respektojnë vendimet e organeve kompetente.

“Mbi ligjin nuk mund të jetë askush”, theksohet në reagim.

Shoqata e Qumështoreve ka kërkuar gjithashtu që institucionet të hetojnë në mënyrë të plotë përdorimin dhe tregtimin e produkteve me vaj palme dhe qumësht pluhur gjatë 15 viteve të fundit.

Sipas saj, çështja e vajit të palmës nuk duhet të trajtohet si problem i një organizimi apo sektori të vetëm, por si çështje e sigurisë ushqimore, mbrojtjes së fermerëve dhe ekonomisë së vendit.

“Vaji i palmës nuk është problem i Shoqatës – është problem shtetëror”, thuhet në reagim.

Në fund, Shoqata u ka bërë thirrje institucioneve që të garantojnë zbatimin e plotë të ligjit, duke kërkuar mbrojtjen e fermerëve dhe konsumatorëve dhe zero tolerancë ndaj prodhimit klandestin.

“Asnjë hap prapa. Asnjë standard i dyfishtë. Asnjë tolerim për prodhimin klandestin. Asnjë operator mbi ligjin”, përfundon reagimi.

Postimi i plotë:

VENDIMET SHTETËRORE NUK JANË OPSION — DUHET TË ZBATOHEN!

VENDIMI I INSPEKTORATIT PËR NDALIMIN E VAJIT TË PALMËS DHE QUMËSHTIT PLUHUR DUHET TË ZBATOHET PLOTËSISHT!

Vendimi i Inspektoratit për ndalimin e prodhimeve me vaj palme dhe qumësht pluhur po zbatohet vetëm pjesërisht.

Prodhimi në të zezë po vazhdon dhe duhet të ndalet!

Në rrjetet e marketeve vërehet një përmirësim i dukshëm, por shitja direkte në furra, restorante dhe lokale të tjera të gastronomisë po vazhdon pa shqetësim.

VENDIMI I INSPEKTORATIT DUHET TË ZBATOHET!

Konsumatorët nuk mund të vazhdojnë të ekspozohen ndaj produkteve që nuk janë në përputhje me kërkesat ligjore dhe të sigurisë ushqimore.

Loja me fermerët dhe konsumatorët nuk mund të vazhdojë më!

Vendimet shtetërore duhet të zbatohen deri në fund.

 Kthim prapa nuk mund të ketë.

Prodhimet klandestine duhet të marrin fund dhe tregu duhet të pastrohet plotësisht nga çdo produkt që shkel ligjin.

INSPEKTORATI TE GJURMOJË.

TE GJURMOHET DHE HETOHET KU JANË DUKE PËRFUNDUAR PRODHIMET E LARGUARA NGA TREGU?!

Moszbatimi i vendimeve nuk mund te kalojë pa ndeshkim.

TË TËRHIQEN LICENCAT E OPERATORËVE QË NUK RESPEKTOJNË VENDIMET!

Shoqata e Qumështoreve rekomandon që t’u tërhiqen licencat të gjithë operatorëve që nuk respektojnë dhe nuk zbatojnë vendimet e organeve kompetente.

Mbi ligjin nuk mund të jetë askush!

Shoqata u bën thirrje të gjitha organeve përgjegjëse që të hetojnë plotësisht se çfarë ka ndodhur gjatë 15 viteve të fundit, lidhur me përdorimin dhe tregtimin e produkteve me vaj palme dhe qumësht pluhur.

VAJI I PALMËS NUK ËSHTË PROBLEM I SHOQATËS — ËSHTË PROBLEM SHTETËROR!

Problemi i vajit të palmës nuk ka qenë asnjëherë problem i Shoqatës së Qumështoreve, ashtu siç është tentuar të paraqitet në të kaluarën.

Ky është një problem i sigurisë ushqimore, problem i fermerëve dhe problem ekonomik e financiar.

SHTETI DUHET TË FLASË PËRMES LIGJIT!

Vendimi është marrë.

Ligji ekziston.

Institucionet kanë përgjegjësi.

Tani kërkohet vetëm një gjë:

ZBATIMI I PLOTË I LIGJIT!

Asnjë hap prapa.

Asnjë standard i dyfishtë.

Asnjë tolerim për prodhimin klandestin.

Asnjë operator mbi ligjin.

FERMERËT DUHET TË MBROHEN.

KONSUMATORËT DUHET TË MBROHEN.

LIGJI DUHET TË RESPEKTOHET.