Rritja e numrit të aksidenteve rrugore, eksperti tregon shkaqet

Shpërqendrimi në timon me telefon, shpejtësia tej normave të lejuara dhe parakalimet e gabuara po çojnë në një rritje të ndjeshme të aksidenteve rrugore në Shqipëri.

Eksperti i sigurisë rrugore, Islim Qibini, deklaroi se humbja e kontrollit mbi mjetin mbetet shkaku kryesor i këtyre ngjarjeve.

Ai kritikoi ndryshimet e fundit në Kodin Rrugor si të pjesshme dhe të bëra pa konsultimin e specialistëve.

Qibini kërkoi nga Drejtoria e Policisë Rrugore e Shqipërisë të rrisë monitorimin në akset ku abuzohet me shpejtësinë.

Ndërkohë, ai apeloi ndaj shoferëve të ruajnë distancën e sigurisë dhe të respektojnë rregullat për të parandaluar përplasjet nga mbrapa.

“Kemi një rritje të ndjeshme të aksidenteve automobilistike. Shkaku kryesor është humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit. Por, shkaku kryesor është tejkalimi i kufijve të shpejtësisë në akset rrugore të vendit, por edhe parakalimet. Tërheqja e vëmendjes gjatë dhënies së automjetit ka shkaqe të ndryshme, si mbajtja e telefonit, duke shpërqendruar vëmendjen në drejtime të ndryshme, jo në dhënien e automjetit. Ndryshimet që janë bërë në Kodin Rrugor janë ndryshime të pjesshme, nuk është marrë vendimi i specialistëve. Duhet që Drejtoria e Policisë Rrugore duhet që të monitorojë këto akse, ku drejtuesit ecin me shpejtës dhe bëjnë parakalime të gabuara. Duhet me patjetër që drejtuesit e mjeteve të mos kalojmë shpejtësinë dhe të mbajnë distancën nga mjeti në mjet, që të parandalohet goditja nga mbrapa e automjetit”, tha eksperti. /abcnews.al