Ministria e Mbrojtjes tregon situatën me zjarret në Shqipëri

Ministria e Mbrojtjes ka përditësuar të dhënat e fundit datë 7 shtator, mbi situatën e zjarreve. Gjatë 24 orëve të fundit njoftohet se janë raportuar 44 vatra zjarri, nga të cilat 14 mbeten aktive, nëntë janë nën mbikëqyrje dhe 21 janë shuar.

Sipas njoftimit, në operacione janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 329 efektivë, mjete të shumta, gjashtë operacione me helikopterë, një avion Air Tractor dhe një dron.

Situatat kryesore aktive janë:

* Shkodër: vijon aktive vatra Bardhaj–Myselim, me angazhim nga toka e ajri, përfshirë 71 efektivë dhe dy helikopterë të FA. Aktive janë gjithashtu vatrat në Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit, ku janë angazhuar edhe 50 forca ushtarake. Zjarri në Bërdicë është nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

* Tiranë: aktive vijojnë zjarret në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit. Në Dajt janë angazhuar 82 efektivë dhe një helikopter i FA, ndërsa në Kryezi është përdorur edhe një avion Air Tractor.

* Dibër: aktive janë vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë. Vatra Lundre–Madhesh po mbështetet edhe nga FA.

* Lezhë: aktive mbeten vatrat në Gallatë dhe Kalivaç–Zimaj–Kashnjet; në këtë të fundit janë angazhuar edhe 63 efektivë dhe 2 helikopterë të FA. Nuk raportohen banesa në rrezik.

* Berat: aktive vijon vatra në Vokopolë, ndërsa zjarri në lagjen Kala është shuar.

Në qarqet e tjera, disa vatra janë shuar ose mbahen nën mbikëqyrje, duke përfshirë ato në Korçë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe Kukës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.