Prokuroria Speciale dorëzon aktakuzë ndaj 35 personave për krime lufte në lagjen e Jasharëve

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë lidhur me vrasjen e civilëve shqiptarë në familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt, duke e cilësuar këtë si aktakuzën e parë që lidhet me këtë ngjarje të krimeve të luftës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, gjatë një konference për media tha se aktakuza është rezultat i një pune të bazuar në prova dhe me rëndësi të veçantë për drejtësinë dhe opinionin publik.

“Sot, Prokuroria Speciale ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në përmbushjen e mandatit të saj ligjor, duke dorëzuar aktakuzën në një çështje me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë, për opinionin publik, e që lidhet me vrasjen e civilëve shqiptarë në familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt”, deklaroi Isufaj.

Ai theksoi se tashmë është në kompetencë të gjykatës vlerësimi i aktakuzës dhe provave të paraqitura nga prokuroria.

“Jemi të bindur se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar, me qëllim që pretendimet e ngritura në aktakuzë të provohen para gjykatës”, tha kryeprokurori.

Isufaj tha se Prokuroria Speciale do të vazhdojë trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, pavarësisht kompleksitetit dhe kohës së kaluar nga kryerja e tyre.

Ai foli edhe për hetimet lidhur me krimet e luftës në Zubin Potok, duke bërë të ditur se në këtë rast tashmë është arrestuar edhe i dyshuari i katërt. Për shkak se hetimet janë në vazhdim, Isufaj tha se nuk mund të japë detaje të tjera.

Kryeprokurori bëri të ditur gjithashtu se gjatë javëve të fundit është dorëzuar edhe një aktakuzë për spiunazh dhe është arrestuar një person tjetër i dyshuar për një vepër të kësaj natyre.

Në fund, Isufaj vlerësoi bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë të sigurisë dhe drejtësisë, duke përmendur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Europolin dhe Eurojust-in.

Ai tha se ky bashkëpunim dëshmon, sipas tij, se Prokuroria Speciale e Kosovës mbetet “partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm” në fushën e drejtësisë dhe sigurisë.