Refuzohet paraburgimi për tre të arrestuarit për kopjime gjatë testit për patentë shoferi

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të pandehurve, të dyshuar për keqpërdorim gjatë testit me shkrim për patentë shofer.

Sipas përgjigjes së Gjykatës për KosovaPress, ndaj A.G., H.K. dhe E.G. është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

“Gjykata Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.G., H.K. dhe E.G.”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Sipas aktvendimit, masa e ndalimit është caktuar për një muaj, duke filluar nga 31 gushti 2026.

Policia e Kosovës kishte njoftuar më 31 gusht se kishte ndërmarrë veprime operative dhe hetimore pas dyshimeve se persona të caktuar po përdornin pajisje telekomunikuese dhe teknologjike për t’u mundësuar kandidatëve marrjen e përgjigjeve nga distanca gjatë testit me shkrim për patentë shofer.

Pas pranimit të informacioneve se disa kandidatë do të hynin në test duke përdorur pajisje komunikimi, Policia kishte ndaluar një automjet, ku gjatë kontrollit ishin gjetur dhe konfiskuar pajisje të dyshuara se ishin përdorur gjatë testimit.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit ishin kryer edhe bastisje në dy lokacione, por aty nuk ishin gjetur sende të dyshuara.

Si prova materiale ishin konfiskuar pajisje komunikimi të vendosura tek dy nga të dyshuarit, si dhe katër telefona mobilë.

Sipas Policisë, katër persona të dyshuar ishin dërguar në mbajtje, ndërsa një person ishte liruar dhe ndaj tij procedura do të vazhdojë në procedurë të rregullt.