Arrestohet një person për kanosje në Mitrovicën e Veriut, kishte urdhër-arrest

Policia në Mitrovicën e Veriut ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Kanosje”, ndërsa gjatë verifikimit ka rezultuar se ndaj tij kishte edhe një urdhër-arrest aktiv.

Sipas Policisë, më 2 shtator 2026, në Stacionin Policor Mitrovicë Veri është raportuar një rast i kanosjes. Bazuar në hetimet fillestare, i dyshuari M.M., i lindur në vitin 1980, dyshohet se ka kanosur ish-gruan e tij përmes mesazheve në telefon.

Policia ka ndërmarrë veprime në terren dhe ka arritur ta lokalizojë të dyshuarin në adresën e banimit të tij në Mitrovicën e Veriut.

Ai është shoqëruar në Stacionin Policor, ku është intervistuar lidhur me rastin. Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti penal “Kanosje”.

“Pas verifikimit të personit, i njëjti ka rezultuar me urdhër-arrest aktiv, të lëshuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, për veprën penale ‘Ngasje në gjendje të dehur’”, ka njoftuar Policia.

Sipas urdhëresës së gjykatës, pas përfundimit të procedurave në Stacionin Policor, i dyshuari është dërguar në vuajtje të dënimit prej 15 ditësh burgim.

Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale, si dhe në identifikimin dhe arrestimin e personave ndaj të cilëve ka urdhër-arreste aktive të lëshuara nga organet e drejtësisë.