Rriten për mbi 80% raportimet për të shtëna me armë gjatë ahengjeve

Ministria e Punëve të Brendshme ka zhvilluar një takim me anëtarët e forumeve të sigurisë së qyteteve të rajonit të Prishtinës, ku është diskutuar zbatimi i fushatës “Festo me zemër, jo me armë” dhe intensifikimi i aktiviteteve për parandalimin e përdorimit të armëve në festa e ahengje.

Takimin e hapi zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe koordinatori kombëtar i Strategjisë për Armë të Vogla dhe të Lehta, Enver Dugolli. Ai tha se parandalimi i përdorimit të armëve kërkon angazhim të përbashkët të institucioneve, shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve.

“Vetëm përmes një qasjeje të përbashkët dhe të koordinuar mund të parandalojmë pasojat serioze që mund të vijnë nga posedimi i paligjshëm i armëve dhe veprimet e tjera kundërligjore”, tha Dugolli.

Sipas tij, MPB-ja synon që në muajt në vijim dhe gjatë vitit të ardhshëm të zhvillojë një fushatë intensive për vetëdijesimin e qytetarëve dhe bashkatdhetarëve që qëndrojnë në Kosovë gjatë pushimeve, duke theksuar se përdorimi i armëve gjatë festave dhe ahengjeve familjare është i kundërligjshëm dhe mund të ketë pasoja fatale.

Në fokus të aktiviteteve do të jenë edhe shkollat, përmes organizimit të aktiviteteve vetëdijesuese për nxënësit.

Në takim morën pjesë edhe zyrtarë të UNDP-së, Policisë së Kosovës, anëtarë të Këshillave Komunalë për Siguri në Bashkësi (KKSB) dhe Këshillave Lokalë për Siguri Publike (KLSP).

Sipas MPB-së, fushatat e ndërgjegjësimit kanë ndikuar që qytetarët të raportojnë më shumë rastet e të shtënave me armë.

Të dhënat zyrtare të Policisë së Kosovës tregojnë se gjatë muajve qershor dhe korrik 2026 është shënuar:

  • 83,3% rritje e raportimeve për përdorim të armëve gjatë ahengjeve dhe festave familjare;
  • 41,2% rritje e numrit të personave të ndaluar nga Policia;
  • 56,7% rritje e numrit të armëve të konfiskuara.

Institucionet vlerësojnë se rritja e raportimeve dhe konfiskimeve tregon për një angazhim më të madh në identifikimin dhe parandalimin e rasteve të përdorimit të armëve në mënyrë të kundërligjshme. /Zëri