Gashi Isufajt: Ka kaluar koha kur anëtarët kanë raportuar para kryeprokurorit, u përgjigjesh pyetjeve të anëtarëve
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka raportuar sot para anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për punën e kësaj prokurorie për vitin 2025.
Gjatë raportimit, derisa anëtarët e KPK-së bënë pyetje ndaj Isufajt, pati ndërhyrje nga kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi.
“Nuk jeni ju këtu me na bo pyetje neve, ne jemi këtu për me të bo pyetje ty, ti je për me raportu, t’i u përgjigjesh pyetjeve që i bën secili anëtar", ka thënë Gashi.
“U përgjigjem pyetjeve dhe ju jap argumentin", është përgjigjur Isufaj.
Por menjëherë u përgjigj Gashi, duke thënë se anëtarët e KPK-së nuk janë aty për të raportuar para Isufajt.
“Mirë, por jo të bëni pyetje dhe të parashtaroni tek anëtarët, sepse anëtarët nuk janë këtu që të raportojnë para juve”, ka shtuar ai. “Kryesues, unë kam qenë kryesues para teje, e di, unë nuk jam duke i bërë pyetje askujt, cilën pyetje e bëra", ka pyetur Isufaj.
Por, pas gjithë këtij debati, Gashi i tha Isufajt se ka kaluar koha kur anëtarët kanë raportuar para kryeporkurorit dhe vetëm duhet të dëgjosh.
“Ka kaluar koha kur anëtarët kanë raportu para kryeprokurorit. Të lutem, unë po flas, ti vetëm dëgjo.
Tani është koha kryeprokurori me raportu para anëtarëve dhe para Këshillit dhe u përgjigjesh pyetjeve që t’i bën anëtari”, ka shtuar Gashi.