Çështja e presidentit, Musliu: PDK-ja nuk ulet në tavolinë me një uzurpator
Ajo që u ndërtua si përpjekje për gjetjen e një kandidati konsensual për president të Kosovës, duket se po shkon drejt dështimit, pasi kundërshtimi i gjashtë deputetëve të LDK-së për votimin e kandidaturës së Bekim Sejdiut ka rikthyer skenarin e zgjedhjeve të reja.
Për këtë situatë deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kritikuar mënyrën sesi po funksionojnë institucionet e vendit, duke e cilësuar gjendjen aktuale si rrezik për demokracinë.
Musliu theksoi se Lëvizja Vetëvendosje ka uzurpuar institucionet.
“Vetë fakti që ne jemi me institucione jolegjitime aktualisht, duke pasur parasysh që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë uzurpuar Qeverinë, Presidencën, Kuvendin, ky është rreziku më i madh, sepse ne po shkatërrojmë demokracinë. Domethënë, këta njerëz po rrezikojnë demokracinë në vend, po shkelin Kushtetutën dhe janë të papërgjegjshëm ndaj të gjitha instancave shtetërore. Prandaj, rreziku më i madh është kur ne sot nuk kemi më as presidencë, as kuvend dhe as qeveri. Çdo lëvizje në zgjidhje të këtij problemi ose çdo lëvizje në krijimin e institucioneve legjitime nuk përbën rrezik, përkundrazi, përbën siguri për vendin”, deklaroi Musliu për Ekonominë Online.
E pyetur se kush do të ishte humbësi më i madh nëse vendi shkon në zgjedhje dhe kush do të ishte fajtori kryesor për një situatë të tillë, Musliu ka thënë se pasojat më të mëdha do t’i bartnin qytetarët e Kosovës.
“Fillimisht duhet ta themi të qartë edhe me zë të lartë se humbësi më i madh, ose ai i cili humb më së shumti ose atakohet më së shumti nga veprimet e papërgjegjshme të politikanëve, konkretisht të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë rast, janë qytetarët e Republikës së Kosovës. Çdo ditë e humbur pa institucione ose çdo ditë e kaluar pa institucione është humbje për qytetarët e Republikës së Kosovës. Është humbje për Policinë e Kosovës, për Ushtrinë e Kosovës, për universitetet, për shëndetësinë, për arsimin në përgjithësi dhe për qytetarët në përgjithësi. Qytetarët janë të lodhur nga kjo papërgjegjësi totale e politikës kosovare”, ka thënë deputetja e PDK-së.
Musliu është pyetur gjithashtu nëse PDK-ja do të mundë të ulej në tavolinë dhe të diskutonte me Albin Kurtin, në një kohë kur marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së për çështjen e institucioneve duket se po shkon drejt dështimit.
Ajo fillimisht ka kundërshtuar cilësimin e Kurtit si kryeministër, duke thënë se aktualisht duhet të cilësohet si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Më së pari dua t’ju përmirësoj, nuk është kryeministri Kurti, është kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje. Domethënë, edhe duhet ta themi çdo ditë që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka uzurpuar institucionet e vendit. Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës nuk ulet në bisedime me një uzurpator. Një deputet i cili ka uzurpuar jo vetëm tanimë pozitën e kryeministrit, por ka uzurpuar edhe Kuvendin edhe Presidencën, i ka marrë peng. Ju e dini që pa amin e Kurtit këto veprime nuk do të ndodhnin. Prandaj, vetë fakti që ai është një uzurpator i tillë, një shkatërrues i demokracisë, Partia Demokratike e ka bërë shumë të qartë qëndrimin e saj. Ne jemi në opozitë dhe vazhdojmë të jemi në opozitë ashtu me dinjitet, sepse mbi të gjitha është Kosova. Nuk e kemi me çdokënd me e marrë pushtetin, e kemi me i dhanë Kosovës institucione, prandaj edhe jemi sot këtu”, deklaroi Musliu.
Gjatë ditës së djeshme kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë dhe Grupit Parlamentar, njoftoi se gjashtë deputetë të LDK-së kundërshtuan votimin e Bekim Sejdiut për president.
Abdixhiku tha se, në këto rrethana, Kosova në mënyrë të pashmangshme po shkon drejt zgjedhjeve. Ndërkaq, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar u shpreh se fillimisht duhet të zhvillojë një takim me të parin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.