Përurohet Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Ilir Konushevci” në Llugë të Podujevës, investim rreth 1.8 milion euro

U përurua sot objekti i ri i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Ilir Konushevci” në Llugë të Podujevës, një investim i rëndësishëm i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencëa në infrastrukturën arsimore, në vlerë prej rreth 1.8 milion euro.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, zëvendësministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, zëvendësministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arton Konushevci, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, familjarë të dëshmorit Ilir Konushevci, përfaqësues të shkollës, mësimdhënës, nxënës dhe qytetarë.

Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi rëndësinë e investimeve në arsim dhe në krijimin e kushteve bashkëkohore për nxënësit dhe mësimdhënësit, duke vlerësuar se investimi në arsim është ndër investimet më afatgjata dhe me ndikimin më të madh për zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit.

Ai bëri të ditur se objekti i ri i shkollës, gurthemeli i së cilës ishte vendosur në shtator të vitit 2022, është një investim në vlerë prej rreth 1.8 milion euro dhe shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 2,600 metrash katrorë.

Shkolla është ndërtuar dhe pajisur me hapësirat e nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor, përfshirë klasat, kabinetet, bibliotekën, sallën e mësimdhënësve dhe hapësirat administrative. Objekti përfshin gjithashtu sallën e edukatës fizike, terrenin e jashtëm sportiv dhe hapësirat e gjelbra, duke ofruar kushte bashkëkohore për 287 nxënësit e kësaj shkolle.

Kryeministri Kurti theksoi se investimet në fushën e arsimit dhe infrastrukturës përcjellëse në Komunën e Podujevës arrijnë në rreth 8.7 milionë euro. Krahas shkollës “Ilir Konushevci”, investimet përfshijnë Qendrën e Kompetencës, tri çerdhe, si dhe sallën e sportit të Shkollës Fillore “Shaban Shala”.

Duke iu drejtuar nxënësve dhe mësimdhënësve në ditën e parë të vitit të ri shkollor, kryeministri Kurti u uroi suksese dhe shprehu dëshirën që shkolla e re të jetë vatër e dijes dhe pikënisje për ëndrrat dhe sukseset e brezave të rinj.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vlerësoi rëndësinë e objektit të ri për nxënësit dhe banorët e Llugës. Ai tha se me hapjen e tij nis një kapitull i ri në historinë e kësaj shkolle dhe krijohen kushte dukshëm më të mira për mësim dhe zhvillim.

Ndërkaq, Arton Konushevci, zëvendësministër në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe vëllai i dëshmorit Ilir Konushevci, foli për domethënien e veçantë që ka hapja e shkollës që mban emrin e vëllait të tij. Ai u shpreh lidhjen ndërmjet sakrificës së brezave të mëparshëm dhe përgjegjësisë së brezave të rinj për ta ndërtuar të ardhmen përmes dijes dhe arsimit.

“Ajo që dje u mbrojt me sakrificë, sot duhet të ndërtohet me dije”, ishte mesazhi i tij për nxënësit, të cilëve u bëri thirrje që shkollën ta shohin si vendin ku fillojnë ëndrrat dhe ndërtohet e ardhmja.

Përurimi i objektit të ri përkon me fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027, duke shënuar një fillim të ri për nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës “Ilir Konushevci”, në ambiente moderne dhe me kushte më të mira për mësimdhënie dhe nxënie.