Zgjerohet hetimi për keqpërdorimet në BKS edhe ndaj 21 personave, shkon në 69 numri i të dyshuarve

Prokuroria Themelore në Prizren ka zgjeruar hetimet për rastin e dyshimeve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), duke përfshirë edhe 21 persona të tjerë.

Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës, numri i përgjithshëm i personave nën hetim në këtë rast ka arritur në 69, transmeton Zeri.info.

21 të dyshuarit e rinj, të gjithë punëtorë të BKS-së, dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”.

Prokuroria thotë se, bazuar në veprimet e deritanishme hetimore, ekziston dyshimi se të pandehurit, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e shumave të parave pa mbulesë.

Sipas hetuesve, shumat e dyshuara variojnë nga 2 mijë deri në 53 mijë euro për person, ndërsa dëmi i shkaktuar BKS-së nga këto veprime të dyshuara vlerësohet në rreth 200 mijë euro shtesë.

Të dyshuarit janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë nga zyrtarët e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me prokurorët e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Paralelisht me hetimin penal, Prokuroria ka zhvilluar edhe hetim financiar në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve të Integruara Financiare të Policisë së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe sigurimit të pasurisë që dyshohet se lidhet me veprat penale.

Si rezultat i këtyre veprimeve, të martën janë sekuestruar dhe ngrirë 35 prona, përfshirë parcela kadastrale, njësi banesore dhe garazhe. Sipas Prokurorisë, pronat lidhen me tre prej të dyshuarve kryesorë në këtë rast.

Po ashtu, me urdhër të Prokurorisë, në bashkëpunim me Njësinë e Inteligjencës Financiare, janë ngrirë 21 llogari bankare të personave të dyshuar.

Në fazën fillestare të hetimit, dëmi i dyshuar ndaj BKS-së ishte vlerësuar në rreth 1.043 milionë euro. Me zgjerimin e hetimeve dhe identifikimin e veprimeve të tjera të dyshuara, Prokuroria thotë se është evidentuar edhe rreth 200 mijë euro dëm shtesë.

Kështu, dëmi i dyshuar i evidentuar deri tani arrin në rreth 1.24 milionë euro.

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit dhe identifikimit të të gjithë personave për të cilët do të vërtetohet përgjegjësia penale.

Institucionet kanë theksuar se gjatë procedurës respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë dhe të drejtat e të gjithë personave të pandehur. /Zëri