Juventusi e vendos çmimin për Zhegrovën, yllin kosovar e duan dy klube

Edon Zhegrova nuk bën më pjesë plotësisht në projektin teknik të Juventusit, por kjo tashmë nuk përbën më lajm.

Ajo që po e tërheq vëmendjen është situata aktuale e yllit kosovar, i cili po aktivizohet shumë pak te bardhezinjtë.

Zhegrova ka luajtur vetëm 20 minuta ndaj Frosinones, ndërsa në ndeshjen në shtëpi kundër Parmës nuk u aktivizua fare për shkak të një problemi fizik.

Deri tani asnjë klub nuk e ka bërë një ofertë konkrete për transferimin e tij, shkruajnë mediat italiane, përcjell gazeta Express.

Edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar, raportohet se Al-Ittihad është i interesuar për futbollistin kosovar, ndërsa vetë Zhegrova thuhet se është i hapur për një transferim në Arabinë Saudite.

Përballë interesimit të klubit arab, Juventusi ka qenë i qartë për çmimin: të paktën 15 milionë euro, shumë e cila mund të rritet më tej përmes bonuseve dhe një përqindjeje nga rishitja e ardhshme e lojtarit.

Tani mbetet për t’u parë nëse klubi saudit do të tentojë ta blejë menjëherë kartonin e Zhegrovës, apo do ta propozojë një huazim me pagesë, të shoqëruar me detyrim blerjeje.

Kështu, e ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi duket gjithnjë e më e pasigurt, ndërsa Arabia Saudite mund të jetë destinacioni i tij i ardhshëm.

Ndërkohë, në ditët e fundit flitet se interesim për Zhegrovën ka shfaqur edhe Lazio, e cila e do lojtarin në formë huazimi.