Kamberi: Serbia s’mund të integrohet në BE duke glorifikuar kriminelët e luftës

Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit që ish-komandanti serb Ratko Mladiq, i dënuar përfundimisht për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, të varroset me nderime shtetërore e ushtarake.

Kamberi ka krahasuar rastin me Gjermaninë e pasluftës, duke pyetur se si do të reagonte Evropa nëse shteti gjerman do të nderonte figura naziste si Adolf Eichmann, Hermann Göring apo Joseph Goebbels.

Sipas tij, nderimi i Mladiqit nuk është vetëm çështje familjare, por një mesazh politik që rrezikon ta shndërrojë një të dënuar për gjenocid në figurë kombëtare.

Kamberi ka theksuar se Serbia, e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duhet të përballet me krimet e së kaluarës dhe jo t’i glorifikojë autorët e tyre.

“Nuk mund të ketë pajtim pa të vërtetën, Evropë pa vlera dhe integrim evropian duke nderuar kriminelët e luftës”, ka shkruar Kamberi, duke e cilësuar këtë edhe si një test për Bashkimin Evropian.