“Forcat serbe kanë dashur të krijojnë realitet të ri” -218 xhami u shkatërruan gjatë luftës
Pretendimet e përfshira në dokumentin e cilësuar “Top Sekret 2” për një strategji të supozuar të ndërtimit dhe zgjerimit të xhamive në Kosovë ngrejnë pikëpyetje, sidomos kur vendosen përballë historisë së luftës së fundit.
Si mund të pretendohet për një strategji të tillë, kur gjatë luftës në Kosovë forcat serbe dogjën dhe shkatërruan 218 xhami? Mes tyre ishte edhe xhamia pranë Urës së Ibrit në Mitrovicë.
Ramadan Shkodra nga Bashkësia Islame e Kosovës tregon se nga rreth 400 xhami sa kishte Kosova para luftës, më shumë se gjysma e tyre u dëmtuan në forma të ndryshme.
Ai thotë se në disa raste, synimi nuk ishte vetëm shkatërrimi i objekteve, por edhe zhdukja e gjurmëve të tyre.
“Forcat serbe kanë dashur me kriju realitet të ri. Pasi i kanë minu objektet e trashëgimisë islame, i kanë shkatërru, i kanë nivelu trollin e tyre me eskavator, për të humbur çdo gjurmë dhe për të krijuar realitet të ri, për të ndërtuar kisha apo objekte të tjera”, thotë ai.
Përveç shkatërrimit, në disa xhami pati edhe përdhosje dhe mbishkrime me përmbajtje nacionaliste.
“Madje kemi edhe përdhosje të objekteve të kultit. Brenda hapësirave të xhamisë janë shkru grafite nacionaliste ose grafite të përkatësisë ortodokse, por edhe grafite të tjera anti-shqiptare, anti-NATO, anti-SHBA dhe anti-Evropë”, u shpreh Ramadani.
Shumica e xhamive të dëmtuara gjatë luftës janë restauruar.
Por jo edhe ajo pranë Urës së Ibrit.
Ndërkohë televizioni ka provuar që të marrë një përgjigje nga institute për mbrojtjen e monumentve por të njejtit nuk kanë kthyer përgjigje.