Kryeqyteti kërkon hetim për kontratën e NPB-së dhe mbrojtjen e pronës publike

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me nënkryetarët Florian Dushi dhe Besiana Musmurati, kanë kërkuar hetim të plotë dhe të paanshëm për çështjen e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) dhe një kontrate të lidhur në vitin 2021 me një kompani që, sipas Kryeqytetit, ishte themeluar vetëm një javë para shpalljes publike të procesit.

Sipas njoftimit të Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, procesi është iniciuar dhe zhvilluar gjatë vitit 2021, ndërsa vendimi është marrë më 27 prill, kontrata është nënshkruar më 17 maj, leja e ndërtimit është lëshuar më 16 gusht dhe aneks-kontrata është nënshkruar më 5 tetor të po atij viti.

Kryeqyteti thekson se qeverisja aktuale nuk e ka iniciuar, negociuar apo nënshkruar këtë kontratë, ndërsa dokumentacioni zyrtar përmban datat, nënshkrimet dhe emrat e personave përgjegjës për vendimet e marra në atë periudhë.

Sipas njoftimit, NPB-ja aktualisht rrezikon të ngarkohet me një detyrim prej mbi 32 milionë eurosh, për shkak të fitimit të pretenduar të humbur nga një projekt që nuk është realizuar.

Për këtë arsye, Kryeqyteti ka kërkuar që të sqarohet se cili veprim konkret i NPB-së pretendohet se ka shkaktuar mosrealizimin e projektit dhe mbi çfarë baze juridike dhe faktike është përllogaritur kjo shumë.

Po ashtu, Kryeqyteti ka kërkuar sqarime për vendimin e Qeverisë së Kosovës të 12 gushtit për shpronësimin e parcelës në Lakrishte, duke theksuar se çështja vazhdon të jetë pjesë e një kontesti gjyqësor.

Kryeqyteti i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të hetojë të gjitha dokumentet, vendimet dhe nënshkrimet që lidhen me këtë proces, me qëllim të përcaktimit të përgjegjësive individuale dhe institucionale.