Cristiano Ronaldo shënon golin e fitores, Al Nassr siguron fitoren e katërt radhazi

Cristiano Ronaldo shënoi golin vendimtar, duke i dhënë sot “Al Nassr” fitoren 2-1 ndaj “Al Taawoun” dhe duke ndihmuar skuadrën e tij të ruajë startin perfekt në sezonin e kampionatit saudit.

Ronaldo, 41 vjeç, ishte në formacionin titullar të “Al Nassr”, skuadër që edhe këtë herë u detyrua të përmbyste rezultatin, pasi të martën fitoi 3-2 ndaj “Al Ettifaq”.

Ndryshe nga ndeshja e mëparshme, këtë herë Ronaldo luajti gjatë gjithë takimit.

Megjithatë, “Al Nassr” e nisi ndeshjen në disavantazh, pasi “Bassam Al-Hurayji” shënoi për “Al Taawoun” në minutën e 11-të.

“Al Nassr” barazoi në minutën e pestë shtesë të pjesës së parë, me Samu Costa që dërgoi topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë erdhi edhe goli i Ronaldos, i 978-ti në karrierën e tij.

Në minutën e 50-të, João Félix depërtoi në zonën e rreptësisë nga krahu i majtë dhe pasoi topin mbrapa drejt Mohamed Simakan.

Goditja e mbrojtësit të “Al Nassr” po shkonte drejt portës, por Ronaldo ndërhyri pranë portës dhe e devijoi topin në rrjetë nga rreth gjashtë metra.

Simakan mbeti i befasuar, ndërsa Ronaldo festoi golin.

Pamjet e përsëritura treguan se goditja e Simakan kishte shumë gjasa të përfundonte gjithsesi në këndin e poshtëm të portës.

Me këtë fitore, “Al Nassr” regjistroi fitoren e katërt në katër ndeshje dhe u ngjit në krye të renditjes së kampionatit. /atsh