Sot pritet të caktohet vlera e subvencionimit për tekstet shkollore
Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka deklaruar se negociatat për çmimet e teksteve shkollore me shtëpitë botuese janë drejt përfundimit dhe se brenda ditës pritet të caktohet edhe vlera e subvencionimit për prindërit.
“Tashmë jemi krejt në fund të negocimit. Besojmë që brenda ditës me e përmbyll dhe me caktu edhe vlerën e subvencionit dhe menjëherë me nis me ekzekutimin e pagesave”, ka deklaruar Çeku.
Sipas tij, synimi është që prindërit të kenë disa ditë kohë para nisjes së mësimit për t’i blerë tekstet dhe materialet shkollore.
Çeku ka kritikuar faktin që librat kanë dalë në shitje në kohën kur ende po negocioheshin çmimet.
“Ne ishim duke i negociuar çmimet me shtëpitë botuese dhe në atë moment dolën në shitje librat. Kjo është shkelje”, është shprehur ai.
Për këtë çështje ministri në detyrë ka bërë të ditur se Ministria do t’u drejtohet organeve përgjegjëse.
“Dhe për atë, ne do t’i drejtohemi organeve përgjegjëse, sepse ata prindër duhet të kompensohen nga ata që e kanë bërë këtë shkelje”, tha Çeku.
Ai ka theksuar se prioritet mbetet përfundimi i negociatave dhe realizimi sa më i shpejtë i pagesave, në mënyrë që prindërit të kenë kohë të mjaftueshme për të siguruar tekstet para fillimit të vitit të ri shkollor.
Ndërkohë, Çeku ka bërë të ditur se janë bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, përfshirë masat e sigurisë dhe përgatitjet për sigurimin e teksteve e materialeve shkollore.