Prokuroria jep detaje për vrasjen e gruas në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka folur për rastin në Prizren, ku burri dyshohet se ka vrarë gruan e tij.

Sipas Prokurorisë, duke u bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, B.D. dyshohet se ka privuar nga jeta gruan e tij, duke ushtruar dhunë fizike dhe se rasti ka ndodhur brenda familjes, transmeton Zeri.info.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Prizren, 26 gusht 2026 – Prokuroria Themelore në Prizren - Departamenti për Krime të Rënda, informon opinionin publik se në Prizren ka ndodhur një rast i vrasjes së rëndë, më 26 gusht 2026, rreth orës 01:30 min. pas mesnatës.

Pas pranimit të informatës, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ekipet e krim-teknikës dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), me qëllim të zhvillimit dhe përfundimit të procedurave hetimore në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në IML.

Bazuar në të dhënat fillestare të hetimit, i dyshuari, B.D. dyshohet se ka privuar nga jeta gruan e tij, duke ushtruar dhunë fizike, dhe se rasti ka ndodhur brenda familjes.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari B.D. është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale "Vrasja e rëndë", sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Brenda afatit ligjor Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke vazhduar hetimet intensive për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të plota të kësaj ngjarjeje.