Aksion në furrat e Kosovës, kontrollohen pesha e bukës dhe vlefshmëria e peshoreve
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka nisur aksionin për mbikëqyrjen e peshës së bukës dhe verifikimin e vlefshmërisë së peshoreve në furrat që operojnë në Kosovë.
Inspektimet kanë nisur në rajonin e Prishtinës, ndërsa gjatë ditëve në vijim do të shtrihen edhe në komunat e tjera të vendit.
Aksioni vjen pas ankesave të vazhdueshme të konsumatorëve për mospërputhje të mundshme mes peshës së deklaruar nga shitësit dhe peshës reale të bukës së blerë.
Gjatë kontrolleve, zyrtarët e AMK-së po verifikojnë afatin e vlefshmërisë dhe rregullsinë e peshoreve të përdorura nga furrtarët. Po ashtu, përveç peshës së bukës, po kontrollohet nëse operatorët ekonomikë posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike.
Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, mospërputhja ndërmjet masës së deklaruar të produktit dhe masës reale të tij konsiderohet mashtrim ndaj konsumatorit.
Për këtë shkelje, bizneset mund të gjobiten nga 1.000 deri në 10.000 euro.
Ndërkaq, për përdorimin e peshoreve ose mjeteve të tjera matëse të parregullta, subjektet juridike mund të gjobiten nga 500 deri në 1.500 euro, në bazë të legjislacionit për metrologjinë.
AMK-ja dhe IQMT-ja u kanë bërë thirrje furrtarëve të verifikojnë me kohë vlefshmërinë e peshoreve, të sigurojnë matje të sakta të produkteve dhe të respektojnë kërkesat ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve.
Ndërsa bizneset që nuk posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike janë ftuar të aplikojnë pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për t'u pajisur me dokumentacionin përkatës.
AMK-ja dhe IQMT-ja kanë bërë të ditur se aktivitetet e mbikëqyrjes do të vazhdojnë në të gjithë territorin e Kosovës, me qëllim garantimin e saktësisë së matjeve, respektimin e legjislacionit dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve. /Zëri