Ymeri kritikon Qeverinë për kontrollet ndaj furrave: Pse nuk shqetësoheni për grurin?
Foto: Laura Hasani

Ymeri kritikon Qeverinë për kontrollet ndaj furrave: Pse nuk shqetësoheni për grurin?

Aktuale August 25, 2026 - 16:47

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka kritikuar Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit lidhur me shqetësimet e saj për peshoret në furra dhe kontrollet ndaj bizneseve të vogla.

Përmes një postimi, Ymeri ka ngritur pikëpyetje për kontrollet dhe importin e grurit, duke pretenduar se 1.6 milionë kilogramë grurë kanë hyrë në vend me vetëm dy mostra, me peshë totale prej 50 kilogramësh.

“Pse nuk po shqetësoheni për grurë?”, ka pyetur ajo, duke argumentuar se dëmi ekonomik nga çmimi i importit të grurit është shumë më i madh sesa ai që mund të shkaktohet nga peshoret e bukës.

Ymeri ka akuzuar Qeverinë për “heshtje” ndaj kontrolleve të cilësisë së grurit dhe bukës, duke e lidhur këtë edhe me importet nga Serbia.

Ajo ka shprehur dyshimin se aksioni i fundit ndaj furrave është i orientuar ndaj bizneseve të vogla dhe ka kritikuar Qeverinë për, siç e quan ajo, standarde të dyfishta në trajtimin e çështjeve ekonomike.

“Mos mashtroni se brengoseni për konsumator. Ky është mashtrim edhe akt i orkestruar këtë herë ndaj bizneseve të vogla, furrave”, ka shkruar Ymeri.