Kurti për vdekjen e Eqrem Kryeziut: I takon një gjenerate kur politika nënkuptonte angazhim të vazhdueshëm

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vdekjes së profesorit, ish-kryetarit të Prizrenit dhe ish-nënkryetarit të LDK-së, Eqrem Kryeziu, i cili vdiq në moshën 78-vjeçare.

Kurti ka kujtuar takimin e fundit me Kryeziun, në shtëpinë e tij në Prizren, në fund të dhjetorit të vitit 2025. Ai ka thënë se gjatë bisedës kishin diskutuar për të kaluarën dhe të tashmen e Kosovës.

“Vullneti njerëzor dhe kthjelltësia mendore ia tretnin çdo vështirësi shëndetësore. Si ngahera, e kishte të pamundur të thoshte fjali të rëndomta; një lloj mendimi të thellë dhe të qartë njëkohësisht e kishte për standard bisede”, shkroi Kurti.

Ai ka vlerësuar edhe kontributin e Kryeziut në arsim dhe akademi, duke theksuar se ai ishte profesor i letërsisë shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Kurti e ka përmendur Kryeziun edhe për rolin e tij politik, si ish-kryetar i Prizrenit, deputet nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe ish-nënkryetar i LDK-së.

“Eqrem Kryeziu i takon një gjenerate dhe një kohe kur të merreshe me politikë nënkuptonte të angazhoheshe vazhdimisht, me gjithçka e për çdo gjë”, shkroi Kurti.

Në fund, Kurti ka kujtuar edhe librin “Poetika e Zef Skiroit”, të cilin Kryeziu ia kishte dhuruar, duke e cilësuar atë si “të jashtëzakonshëm”. /Zëri