Vuçiqi i shkruan Ruttes, përmend edhe seancë ta jashtëzakonshme të OKB-së për urën e Ibrit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se i ka dërguar letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, përmes së cilës ka kërkuar që Aleanca të mos lejojë hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në një videomesazh drejtuar qytetarëve, Vuçiqi e ka paraqitur hapjen e urës si rrezik për sigurinë e serbëve në veri të Kosovës, duke pretenduar se kjo do të krijonte “kushte të shkëlqyera për llogaridhënien përfundimtare me popullsinë serbe” në veri.

“Sapo i kam dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin pata së fundmi një bisedë të rëndësishme në margjinat e samitit të Parisit, dhe i kam kërkuar NATO-s të mos lejojë hapjen e urës së Ibrit”, ka deklaruar Vuçiqi.

Ai ka pretenduar gjithashtu se gjatë pesë viteve të fundit ka pasur, sipas tij, “persekutim dhe terror të vazhdueshëm” ndaj serbëve në Kosovë.

Vuçiqi ka shkuar tutje, duke deklaruar se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar më shumë se 800 raste që ai i cilësoi si sulme me motive etnike, ndërsa ka pretenduar se 257 serbë janë arrestuar dhe se shumica prej tyre janë keqtrajtuar.

Presidenti serb ka pretenduar se çështja e urës mbi Ibër ka qenë vazhdimisht pjesë e dialogut Kosovë-Serbi dhe se, sipas tij, nuk është arritur marrëveshje për hapjen e saj.

Ai ka përmendur edhe një bisedë që, sipas tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, e ka zhvilluar me komandantin e të KFOR-it, Ozkan Ulutash.

“Ne kërkuam që të mos e bënin këtë, sepse kjo ishte gjithmonë temë dialogu dhe hapja e urës mbi Ibër ishte temë dialogu. Nuk u arrit kurrë një marrëveshje”, ka thënë Vuçiqi.

Ai e ka lidhur çështjen e urës edhe me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke pretenduar se Bashkimi Evropian dhe vendet perëndimore nuk kanë zbatuar marrëveshjet e vitit 2013.

Vuçiqi ka paralajmëruar se Beogradi do ta vazhdojë luftën politike lidhur me zhvillimet në Kosovë.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë politikisht në të gjitha mënyrat e mundshme”, ka deklaruar ai, duke mos përjashtuar mundësinë që Serbia të kërkojë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për çështjen e Kosovës.

Në fund të videomesazhit, Vuçiqi ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe institucionet në Prishtinë për, siç e ka quajtur ai, “terror ndaj popullsisë serbe”, duke kërkuar që kjo të ndalet. /Zëri