Përfituan 134 mijë euro duke mashtruar për transplantim veshke, aktakuzë ndaj dy personave në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, V.H. dhe A.K., të dyshuar për veprën penale “Mashtrimi”, lidhur me një rast ku një person dyshohet se është dëmtuar për 134 mijë e 761 euro.

Sipas aktakuzës, V.H. dyshohet se nga maji i vitit 2021 deri në shtator të vitit 2023, në fshatin Lubeniq të Pejës, është paraqitur rrejshëm si mjek në specializim në një spital në Turqi.

Ai dyshohet se i ka premtuar të dëmtuarit se do t’i mundësonte kryerjen e transplantimit të veshkës, ndërsa nga ai ka kërkuar dhe pranuar mjete financiare, kinse për shpenzime spitalore dhe procedura që lidhen me transplantimin.

Prokuroria thotë se V.H. dyshohet se ka përdorur në mënyrë të rreme të dhëna, dokumente dhe emra të mjekëve të një spitali në Turqi, me qëllim që ta bindte të dëmtuarin se procedura e transplantimit do të realizohej.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, të dëmtuarit i është shkaktuar dëm material prej 134 mijë e 761 eurosh.

Ndërkohë, A.K. dyshohet se ka ndihmuar në realizimin e mashtrimit, duke e njoftuar të dëmtuarin me V.H. dhe duke e paraqitur atë rrejshëm si mjek në Turqi.

Sipas Prokurorisë, A.K. dyshohet se ka ndikuar në krijimin e besimit te i dëmtuari lidhur me aftësitë dhe mundësitë e V.H. për organizimin e transplantimit.

Procedura penale ndaj një personi tjetër, i cili sipas aktakuzës dyshohet se ishte paraqitur si dhurues i veshkës, është veçuar.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale që u vihen në barrë.

Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.